Ish-kryetari i KShC-së i reagon Ministrit për rritjen e numrit të studentëve në Fakultetin e Mjekësisë

Ish-Kryetari i Këshillit Shtetëror të Cilësisë Blerim Rexha, ka reaguar ndaj vendimit të Ministrit të Arsimit Ramë Likaj  për rritje të numrit të studentëve që mund të pranohen në Fakultetin e Mjekësisë.

Rexha ka kërkuar që të tërhiqet vendimi që nuk u mor nga Këshilli i Cilësisë që është organ kompetent për këtë çështje.

“Ministër po habitem se ku e gjete bazën ligjore, kur edhe në preambulën e vendimit tënd bazohesh ne ‘…Organizimin dhe Funksionimin e Administratës dhe Agjencive të Pavarura…’ – është pikërisht fjala e ‘pavarur’, që nënkupton i pavarur edhe nga ministria”, tha Rexha.

Sipas tij, pikërisht për kësi ndërhyrje të ish-ministrit Shyqiri Bytyqi Agjencia e Akreditimit ishte përjashtuar nga EQAR dhe ENQA, sepse sipas tij iu cenua “pavarësia në vendimmarrje”.

“Ky vendim i juaji e shkatërron krejt punën e zellshme që po bënë tani Agjencia për Akreditim me partner ndërkombëtar si USAID, HERAS, GIZ, etj. për kthimin në EQAR dhe ENQA”, shtoi ai.

Rexha kishte edhe disa pika si propozim se si duhej vepruar ministri.

Ministër, që një propozim si do të duhej të kishit vepruar:

  1. Ta këshilloni Fakultetin i Mjekësisë të aplikoj për ri-akreditim të parakohshëm – dhe në aplikim të cekë së dëshiron ta rrit vetëm numrin e studentëve (për dallim nga RVV e vjetër). Fakulteti i Mjekësisë ka mbi 100 profesorë dhe hapësira më së të mjaftueshme, sesa kërkohet me Udhëzimin Administrativ 15/2018 dhe rritja e numrit të studentëve për 30% nuk do të ishte problem.
  2. Agjencia, kërkesën e Fakultetit të Mjekësisë, do ta kishte trajtuar me prioritet dhe do t’ia përcillte vlerësuesve të jashtëm, ekspertëve të njëjtë, që veçse e kanë vlerësuar më herët programin e Fakultetit të Mjekësisë.
  3. Ekipit të ekspertëve iu mbetet vetëm të binden se, po, Fakulteti i Mjekësisë i ka kapacitetet njerëzore dhe infrastrukturë të mjaftueshme për më shumë studentë. Dhe ata, online do të kishin vlerësuar, sikurse qe tani është praktike dhe rekomandim nga ENQA, se gjendje faktike është në favor të kërkesës, dhe vendimi do të ishte pozitiv.
  4. Agjencia do ta miratonte vendimin, në mbledhje online
  5. Fakulteti do të pranonte studentët shtesë, konformë vendimit të ri të Agjencisë, sipas pikëve të konkursit.

“Andaj Ramë, mos u bë si Shyqa por tërhiqe vendimin dhe fillo menjëherë bashkëpunimin me Fakultetin e Mjekësisë për aplikim të parakohshëm në Agjenci të Akreditimit”, kishte përfunduar Rexha.

Dje Ministri i i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj e ka përkrahur propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj për rritjen e numrit të studentëve në Fakultetin e Mjekësisë për vitin akademik 2019/20.

Likaj në vendimin që e kishte marrë dje ka shkruar që të rritet numri për 50 studentë në Mjekësi të Përgjithshme.

Likaj ia aprovon kërkesën Zemajt për rritjen e numrit të studentëve në Mjekësi