Ish-kryetari i KShC: E panevojshme dorëheqja e anëtarëve vendorë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë

Ish-kryetari i Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Blerim Rexha, ka reaguar pas dorëheqjes së 5 anëtarëve të bordit të institucionit.

Rexha e ka cilësuar si “të panevojshme” dorëheqjen e anëtarëve vendorë, kurse për ata ndërkombëtarë ai ka thënë se duhet të merret si alarm për ligjvënësit.

“Dorëheqja e anëtarëve ndërkombëtarë nga Agjencia e Akreditimit duhet të merret si alarm për ligjvënësit për kriteret e vendosura në ligj. Por ne duhet të kuptojmë që vendet e ndryshme kanë perceptime të ndryshme për privatësinë! Ndërsa, dorëheqje krejt e panevojshme është e anëtarëve vendorë – “Me konë lehtë me majtë shpi, Kola jem i kishte majtë dy”, ka shkruar ai në Facebook.

KALLXO.com më herët raportoi se kryetari, nënkryetarja dhe tre anëtarët ndërkombëtarë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, kanë dhënë dorëheqje.

Siç merr vesh KALLXO.com, anëtarët ndërkombëtarë kanë dhënë dorëheqje pasi nuk kanë pranuar të deklarojnë pasurinë e tyre në Agjencinë Kundër Korrupsion, kurse anëtarët vendorë për arsye të tjera.