Faruk Mujka zgjedhjet kryeshef në Ibër-Lepenc Ilustrimi: KALLXO.com

Ish-kryetari i degës së LVV-së në Mitrovicë, Mujka: Nga nesër filloj detyrën si kryeshef në 'Ibër-Lepenc'

Ish-kryetari i degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë, Faruk Mujka ka konfirmuar që nga nesër do të fillojë punën si kryeshef në Ndërmarrjen Hidroekonomike “Ibër-Lepenc”.

Per nisjen e detyres se re, Mujka ka shkruar ne Facebook, se ndërmarrja është “vend ideal për për të kontribuar dhe treguar aftësitë e duhura menaxhuese në përputhje me pritjet e qytetarëve”.

“Nga, nesër filloj detyrën e re, Kryeshef Ekzekutiv në NHE “Ibër – Lepenc”, ndërmarrje tepër e rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës. Vend ideal për për të kontribuar dhe treguar aftësitë e duhura menaxhuese në përputhje me pritjet e qytetarëve” – ka shkruar Mujka.

“Çdo udhëtim ka fillimin, itinerarin dhe fundin e tij. Nga secili udhëtim kam fituar njohuri, eksperienca dhe miq të ri. Gjërat e këqija të përjetuara gjatë rrugëtimit hudhen pas shpine”- ka shkruar Mujka.

KALLXO.com ka raportuar për përzgjedhjen e Mujkajt si kryeshef në Ndërmarrjen Hidroekonomike “Ibër-Lepenc”.

Zgjedhja e tij është bërë në kundërshtim me Ligjin për ndërmarrjet publike, bazuar në interpretimin që kishte bërë Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik në rastin e kandidimit të Blerand Stavilecit për kryeshef të Korporatës Energjetike të Kosovës.

Në atë interpretim, ZKM-ja kishte thënë se edhe kryeshefi i ndërmarrjes publike duhet të jetë i pavarur, pra nuk duhet të ketë poste politike dhe të jetë pjesë e organeve vendimmarrëse të partive politike në 36 muajt e fundit.

Faruk Mujka e ka drejtuar degën e Vetëvendosjes në Mitrovicë. Ai ka garuar në zgjedhjet lokale të vitit 2021 duke marrë 8,647 vota në garën për asamblist të Komunës së Mitrovicës Jugore. Mujka ka qenë edhe nënkryetar i Komunës së Mitrovicës Jugore deri në fund të vitit 2021.

Ai madje e kishte nënshkruar një vendim në vitin 2021 sa ishte nënkryetar i Komunës së Mitrovicës, në mungesë të kryetarit, Agim Bahtiri, që kishte mundësuar futjen në rendin e ditës në seancën e Kuvendit Komunal diskutimin dhe votimin për tjetërsimin e pronës në qendër të qytetit, të ish-objektit të bibliotekës.

Në vendimin e bordit të drejtorëve të kësaj ndërmarjeje thuhet se ish-kandidati për deputet nga Vetëvendosje dhe ish-nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka, do të jetë në krye të “Ibër-Lepencit” për një mandat trevjeçar.