Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ish-kryetari i Apelit tregon kur mund të ndryshohet kamatë-vonesa në çështjet përmbarimore

Ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, ka treguar në emisionin “Kallxo Përnime” për rastet kur mund të ndryshohet kamatë-vonesa në procedurat e përmbarimit.

Këto sqarime Shala i bëri në emisionin i cili shfaqi hulumtimin për dyshimet për vendosjen e standardeve të dyfishta nga Gjykata e Apelit gjatë trajtimit të çështjes përmbarimore në të cilën palë është ndërmarrja publike Pallati i Rinisë në Prishtinë.

Sipas gjyqtarit më përvojë 20-vjeçare në zgjidhjen e lëndëve civile, kamatë-vonesa në procedurat përmbarimore nuk mund të ndryshohet nëse vendimi përmbarimor është nxjerrë para hyrjës në fuqi të ligjit të ri mbi marrëdhëniet detyrimore.

“Kjo lëmi është e rregulluar me LMD, se a mund të ndryshohet apo jo i kemi dy raste, rasti i parë kur kemi te bëjmë me aktgjykimet e gjykatave të nxjerra para vitit 2012 me LMD e vjetër të ish-Jugosllavisë  ndërsa me hyrjen e ligjit te ri këto mund të ndryshohen, ajo mund të dyshohet vetëm kur është në procedurë me LMD, kështu që të gjitha ato aktgjykime para 20 janarit të vitit 2012 ato nuk mund të ndryshohen”, tha Shala.

Ai shtoi se mënyra e vetme për evitimin e gabimeve në këto çështje është parashtrimi i kërkesës për mbrojtje të ligjshmerisë nga Prokuroria e Shtetit.

Në emisionin “Kallxo Përnime”, u shfaq hulumtimi për vendimin kontrovers të Gjykatës së Apelit, i cili pritet që ta zhysë sërish në borxhe qindra e mijëra euro Pallatin e Rinisë në kohën kur kjo ndërmarrje besonte se kishte dalë nga borxhet milionëshe që i kishte pasur gjatë këtyre dy dekadave.

Hulumtimi ka gjetur se në dy raste gjykatat kishin refuzuar rritjen e kamatave të borxhit të Ndërmarrjes Publike-Lokale “Pallati i Rinisë”, përderisa në një rast krejtësisht të ngjashëm kishte lejuar që kamata të rritej nga 3.5 % në 8%.

Emisioni shfaqi se si ky vendim mund ta dëmtojë mbi 300 mijë euro këtë ndërmarrje publike.

Ilir Dugolli, kryeshef ekzekutiv i ndërmarrjes Pallati i Rinisë e kontestoi vendimin e Gjykatës së Apelit dhe tha se ndjehet i befasuar se si është e mundur që gjykata e shkallës së dytë të nxjerrë vendime krejtësisht të kundërta me njëra-tjetrën.

“Në tri raste janë aprovuar kundërshtimet tona për rritjen e kamatës në 8% pasi për to ishte vendosur me aktgjykim të plotfuqishëm ndërsa në rastin e përmbaruesit Arben Gashi, Gjykata e Apelit ka vendosur krejtësisht ndryshe dhe ka lejuar rritjen e kamatës në 8%”, tha Dugolli.

Ai gjatë emisionit tha se ky vendim i Gjykatës së Apelit pritet ta dëmtojë ndërmarrjen mbi 300 mijë euro përderisa paralajmëroi ta atakojë vendimin.

“Ndryshimi i kamatës pritet që të na dëmtojë mbi 300 mijë euro, ne nuk do të ndalemi dhe bashkërisht me avokatin do t’i shqyrtojmë mundësitë ligjore dhe pse jo t’i drejtohemi edhe prokurorisë për mbrojtjen e ligjshmërisë”, tha kryeshefi.

Emisioni “Kallxo Përnime” ka zbuluar se Gjykata e Apelit ka vendosur krejtësisht ndryshe në një çështje me materie të njëjtë.

Në lidhje me këto vendime “Kallxo Përnime” ka tentuar të marrë përgjigje nga Gjykata e Apelit mirëpo deri në publikimin e këtij emisioni nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.

Emisioni shfaqi dyshimet se Gjykata e Apelit në rastin e Pallatit të Rinisë përdori standarde të dyfishta, pasi në një rast vlerësoi se kamatat e borxhit e caktuar nga Gjykata Supreme nuk bën të ndryshohet ndërsa pak kohë më vonë në një çështje që ka materien e njëjtë e lejoi rritjen e kamatës e cila ishte vendosur nga Dhoma e Posaçme e Supremes.