Ish-kryesuesi i Këshillit Drejtues arrin të emërohet profesor asistent në UP

Ish-kryesuesi i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Ujkan Bajra, ka arritur të pranohet sot si profesor asistent i këtij Universiteti.

Ai u emërua në pozitën profesor asistent në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore nga Senati i UP-së me 5 abstenime.

Bajra kishte kandiduar për profesor asistent në FShMN në konkursin e 14 majit, ku mori vlerësim pozitiv nga komisioni vlerësues e rekomandim pozitiv nga këshilli i këtij Fakulteti, por ishte ndaluar në filtrin e fundit, në komisionin këshilldhënës të rektorit, pasi ata e kishin kërkuar një interpretim në Agjencinë Kundër Korrupsion.

Kjo për shkak se Bajra deri para pak kohësh kishte qenë pjesë e Këshillit Drejtues të UP-së, një ndër institucionet kryesore qeverisëse të Universitetit, dhe ishte vënë në dyshim nëse kjo përbën konflikt të interesit.

Baza që Rektorati e kishte dërguar në AKK është Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, neni 18 pika 1.2, ku thuhet se “zyrtari i lartë  nuk ka të drejtë të përfshihet në marrëdhënie kontraktore, drejtpërdrejt ose nëpërmjet ndonjë personi të afërm ose të besuar, me institucionin ku ka ushtruar funksionin publik për një periudhë deri në dy (2) vjet pas përfundimit të funksionit publik”.

Por, rektori i UP-së, Naser Sahiti, në mbledhjen e sotme tha se Agjencia Kundër Korrupsion i ka thënë që kjo çështje është trajtuar me një shkresë të datës 30 prill.

“AKK këtë rast e konsideron të sqaruar dhe për këtë rast vlen opinioni i dhënë sipas referencës më 30.04.2021”, thuhet në përgjigjen e AKK-së për Rektoratin e UP-së.

Çka thotë interpretimi i 30 prillit i Agjencisë Kundër Korrupsion?

Kjo nuk ka qenë hera e parë që Ujkan Bajra ka aplikuar për profesor në Universitetin e Prishtinës.

Opinioni të cilit i është referuar AKK-ja që UP-ja ta zbatojë në këtë rast, ka të bëjë me konkursin e datës 27 prill të vitit 2018 për zgjedhjen e personelit akademik në Fakultetin Ekonomik, në kohën kur Bajra kishte aplikuar si profesor asistent për një grup lëndësh dhe në këtë kohë ai nuk kishte qenë kryesues i Këshillit Drejtues.

Bajra nuk arriti të zgjidhej si profesor në konkursin e vitit 2018 dhe kishte bërë një ankesë në Inspektoratin e Punës. Më pas, në vitin 2019, kur ky ishte kryesues i KD, Inspektorati i Punës e kishte detyruar UP-në që ta kthejë në rivlerësim dhe rivendosje pozitën e tij.

Por, në kohën kur Inspektorati i Punës e kishte marrë këtë vendim, Bajra i ishte drejtuar Agjencisë Kundër Korrupsion me pyetjen: “A jam në konflikt interesi që të zgjedhem nga Senati, në pozitën e profesorit, marrë parasysh faktin se procedura e rekrutimit ka filluar në prill të vitit 2018 si dhe sipas pretendimit te rektorit të UP-së, a jam i obliguar që të jap dorëheqje nga pozita në Këshillin Drejtues, para apo pas emërimit nga Senati i UP-së në pozitën e profesorit, përkatësisht para apo pas krijimit të marrëdhënies së rregullt të punës me Universitetin e Prishtinës, Fakulteti Ekonomik”.

Pas kësaj, AKK më 30 prill të këtij viti kishte thënë se kandidimi i Ujkan Bajrës në konkursin publik për pozitën profesor asistent në Fakultetin Ekonomik  të UP-së, “sikurse vazhdimi i të qenurit kandidat në konkursin në fjalë, ndërkohë që i njëjti emërohet kryesues i KD të UP-së, edhe pse mund të duket (konflikt në dukje të interesit), nuk përbën konflikt të faktit të interesit sipas dispozitave të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit”.

Agjencia Kundër Korrupsion e ka arsyetuar këtë duke thënë se “Ujkan Bajra, në kohën kur është shpallur konkursi nuk ka qenë anëtar i KD të UP-së, por edhe pas emërimit të tij anëtar, përkatësisht kryesues i KD të UP-së, nuk është gjetur se i njëjti ka qenë pjesë, në mënyrë indirekte apo direket, në çfarëdo vendimmarrje, në cilëndo fazë të procedurës së këtij konkursit, në cilësinë e anëtarit/kryesuesit të KD të UP-së, kjo edhe për faktin se sipas legjislacionit të UP-së, Këshilli Drejtues nuk ka asnjë rol vendimmarrës në procedurat e rekrutimit të stafit akademik brenda UP-së”.

Bajra ishte zgjedhur dy herë radhazi kryesues i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, i propozuar nga Ministria e Arsimit. Ai ka qenë kryesues deri më 6 maj të këtij viti deri kur dha dorëheqje.

Këshilli Drejtues i Universitetit është organi kryesor qeverisës i Universitetit dhe anëtarët e këtij këshilli kanë qasje në gjitha vendimet që lidhjen me çështje financiare (buxheti, personeli, infrastruktura).

Konkursi për emërimin, riemërimin dhe avancimin e personelit akademik të UP-së ishte hapur më 14 maj të këtij viti në 14 fakultete të UP-së.

Ujkan Bajra ka qenë njëri nga kandidatët për pozitën e Auditorit të Përgjithshëm të Zyrës Kombëtare të Auditimit, por që në fund ishte emëruar Vlora Mehmeti Spanca,