Ish-Kryeshefi i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, Ilir Morina dyshohet se mori 10 mijë euro ryshfet për lejet mjedisore në Brezovicë

Ilir Morina, ish-Kryeshefi i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit është arrestuar gjatë ditës së djeshme në aksionin e Prokurorisë Themelore në Ferizaj për rastin e njohur si “Brezovica”.

KALLXO.com ka siguruar dosjen e prokurorisë në të cilën përshkruhen të gjitha veprimet për të cila po dyshohet Morina dhe të dyshuarve të tjerë në rastin e ndërtimeve në zonën e Brezovicës.

Morina siç përshkruhet në dosje, dyshohet se ka ushtruar ndikim në vendimmarrjen e Komisionit për vlerësimin e kushteve për pëlqime mjedisore.

“Komisioni ka dhënë vlerësimin për lëshimin e pëlqimeve mjedisore dhe pëlqimeve ujore pa plotësuar kushtet ligjore, pasi që objektet ishin ndërtuar ose ishin në fazën përfundimtare; dhe atë pëlqimet mjedisore për objektin hotelier “Stella Consulting” dhe kompleksit të vikend-shtëpizave “Meshtekna”, objektin hotelier “Kaona Hotel”, objektit hotelier “Rimida”, kompleksit të vikend-shtëpizave të Lagjes “D”; pëlqimet ujore për urën mbi lumin “Murzhica”, të kompleksit të vikend-shtëpizave “Meshtekna”, të “Stella Consulting”, urën mbi lumin “Murzhica”, të kompleksit të vikend-shtëpizave të Lagjes “D”, të cilat ndërtime kanë degraduar mjedisin dhe natyrën në Parkun Kombëtar “Sharri”, në vikend-zonën e Brezovicës, Komuna Shtërpcë”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Me këto veprime, Morina dyshohet se ka kryer veprën penale të keqëprdorimit të detyrës zyrtare.

Tutje siç pretendon Prokuroria, Morina dyshohet se nga viti 2016 në pozitën e Kryeshefit të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit se ka pranuar para në vlerë të 10 mijë eurove nga të dyshuarit, Gentjan Sula, Rijad Hasani, Blerim Imeri dhe Sabi Geci, për të ushtruar ndikim te Komisioni për dhënien e vlerësimit pozitiv për lëshimin e pëlqimeve mjedisore  dhe pëlqimeve ujore.

Këto leje sipas prokurorisë ka qenë për objektin hotelier “Stella Consulting” dhe kompleksin e vikend-shtëpizave “Meshtekna”, objektin hotelier “Kaona Hotel”, objektin hotelier “Rimida”, kompleksin e vikend-shtëpizave të Lagjes “D”; pëlqimet ujore për urën mbi lumin “Murzhica”, kompleksin e vikend-shtëpizave “Meshtekna”, të “Stella Consulting”, urën mbi lumin “Murzhica”, kompleksin e vikend-shtëpizave të Lagjes “D”, të cilat ndërtime kanë degraduar mjedisin dhe natyrën në Parkun Kombëtar “Sharri”, në vikend-zonën e Brezovicës, Komuna Shtërpcë.

Me këto veprime Morina dyshohet se ka kryer veprën penale të marrjes së ryshfetit.

Ndaj Morinës, prokurori i rastit ka kërkuar edhe masën e paraburgimit pas arrestimit.

Aksioni ‘Brezovica’, arrestohet Ilir Morina, ish kryeshef i Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit