Kryeministri japonez, Shinzo Abe - Foto: REL/AFP

Ish-kryeministri japonez vdiq nga plumbi që preku zemrën e tij

Ish-kryeministri japonez, Shinzo Abe, vdiq nga plumbi që preku zemrën e tij dhe nga gjakderdhja e tepërt.

Ish-kryeministri japonez Shinzo Abe ka vdekur në moshën 67-vjeçare pasi u qëllua me armë zjarri gjatë një fjalimi të premten në Nara të Japonisë. Këtë e kanë konfirmuar mjekët që po e trajtonin atë, raporton CNN.

Në një konferencë shtypi, Mjekët në Universitetin Mjekësor të Nara thanë se Abe vdiq nga gjakderdhja e tepërt dhe plumbi që e vrau preku zemrën e tij.

Ndërsa, në pamjet e videos së atentatit dëgjohen dy të shtëna.

Policia ka arrestuar një burrë rreth të 40-ave në lidhje me të shtënat dhe ka marrë një armë që dukej të ishte e bërë vetë, njoftoi transmetuesi publik japonez NHK.

Abe ishte kryeministri japonez më jetëgjatë në histori të këtij vendi dhe i njëjti dha dorëheqjen si lider në vitin 2020, duke përmendur arsye shëndetësore.