Ish-kryeministri izraelit: Putin më premtoi se nuk do ta vrasë Zelenskiyn

Pushtimi rus i Ukrainës filloi më 24 shkurt të vitit 2022. Sulmet nga forcat ruse u raportuan në qytetet kryesore anembanë Ukrainës, duke përfshirë edhe kryeqytetin Kiev. 

Zyrtarët perëndimorë pohuan se për nga shtrirja, lufta mund të jetë më e madhja në Evropë që nga viti 1945. 

Zyra e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (OHCHR) verifikoi mbi 6.8 mijë vdekje të civilëve në Ukrainë gjatë luftës që nga dhjetori 2022.

Lufta rezultoi në një krizë humanitare, pasi mijëra ukrainas u larguan në perëndim të vendit të tyre dhe jashtë vendit. 

Polonia fqinje regjistroi numrin më të madh të kalimeve kufitare nga Ukraina, me rreth tetë milionë që nga dhjetori 2022, e ndjekur nga Rusia, Hungaria dhe Rumania.

Sot është dita e 349-të e invazionit ushtarak rus në Ukrainë dhe zhvillimet e fundit nga atje janë si në vijim:

Ish-kryeministri izraelit Naftali Bennett ka thënë në një intervistë se Vladimir Putin i ka thënë atij se nuk do të përpiqej ta vrasë Volodymyr Zelenskiny, një premtim i bërë gjatë një udhëtimi në Moskë menjëherë pasi Rusia e pushtoi Ukrainën vitin e kaluar.

Duke folur në një intervistë online me gazetarin izraelit Hanoch Daum, botuar të dielën, Bennett tha se mori siguri nga Putin se jeta e presidentit ukrainas nuk ishte në rrezik gjatë një vizite të fshehtë në kryeqytetin rus marsin e kaluar, me qëllim ndërmjetësimin gjatë ditëve të para të luftës.

Ukraina po përgatitet për një ofensivë të mundshme ruse këtë muaj përpara përvjetorit të parë të pushtimit të Ukrainës. “Tashmë ka shumë raporte se pushtuesit duan të bëjnë diçka simbolike në muajin shkurt, në përpjekje për t’u hakmarrë për disfatat e tyre të vitit të kaluar”, ka deklaruar Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy në fjalimin e tij të së dielës mbrëma. “Ne e shohim këtë presion të shtuar në fusha të ndryshme të vijës së parë dhe në fushën e informacionit.”

Ukraina ka rezervat për rezistencë ndaj forcave ushtarake ruse edhe pse furnizimet më të fundit ushtarake perëndimore nuk do të arrijnë të gjitha në kohë, ka pohuar ministri i mbrojtes ukrainase, Oleg Reznikov. “Jo të gjitha armatimet perëndimore do të arrijnë në kohë. Por ne jemi gati. Ne kemi krijuar burimet dhe rezervat tona, të cilat ne jemi në gjendje t’i vendosim dhe me të cilat jemi në gjendje të frenojmë sulmin”. 

Rusia gradualisht po i rrit sulmet e saj dhe po afrohet në qytetin lindor të Bakhmut mes luftimeve të ashpra. Minisri Mbrojtjes ukrainase Reznikov pohoi se Moska po hum “500 të vrarë dhe të plagosur çdo ditë në Bakhmut” – një shifër që nuk është e mundur të verifikohet. Ministria e Mbrojtjes e Britanisë tha se Bakhmut po bëhej “gjithnjë e më i izoluar”, në vlerësimin e saj të fundit të inteligjencës, i cili vuri në dukje se Rusia tani i ka dy rrugët kryesore në qytet nën kërcënimin e zjarrit të drejtpërdrejtë të artilerisë, duke e bërë më të vështirë furnizimin e forcave mbrojtëse në qytet.

Sipas raporteve, Irani dhe Rusia po kërkojnë të ndërtojnë një fabrikë në Rusi që mund të furnizojë më shumë se 6000 dronë të projektuar nga Irani për luftën në Ukrainë. Wall Street Journal pretendon se të dy qeveritë po ecin përpara me planet dhe se një delegacion iranian ka qenë në Rusi në janar për të vizituar lokacionin e planifikuar.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov mbërriti në Irak të dielën për bisedime mbi energjinë dhe sigurinë ushqimore në funksion të konfliktit në Ukrainë, ka deklaruar një zëdhënës i ministrisë së jashtme irakiane. Lavrov do të vizitojë gjithashtu Malin këtë javë, në një udhëtim që qeveria e vendit të Afrikës Perëndimore thotë se do t’i forcojë lidhjet e mbrojtjes dhe sigurisë. Kjo do të jetë hera e parë që një ministër i jashtëm rus viziton Malin dhe është pjesë e një shtytjeje nga Moska për ta shtrirë ndikimin e saj mbi vendet në Afrikë.

Ndalimi i vendosur nga BE për produktet e naftës ruse në det do të hyjë në fuqi të hënën. Blloku 27-shtetesh i BE-së po i ndalon produktet e naftës të rafinuar ruse, të tilla si karburanti dizel dhe po i bashkohet SHBA-së dhe aleatëve të tjerë në vendosjen e një çmimi tavan për shitjet në vendet joperëndimore. Një ndalim i naftës së papërpunuar ruse hyri në fuqi më 5 dhjetor dhe zgjerimi i produkteve të naftës do të nënkuptojë se 70% e eksporteve ruse të energjisë tani do t’i nënshtrohen sanksioneve. Produktet e naftës përfaqësojnë një të tretën e eksporteve të naftës ruse./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala