Kryeministri japonez, Shinzo Abe - Foto: REL/AFP

Ish-kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, qëllohet me armë gjatë një fjalimi

Ish-kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, u qëllua me armë gjatë një fjalimi të fushatës elektorale të premten në Japoninë perëndimore dhe u transportua me helikopter në një spital.  

Ish kryeministri Abe u qëllua dy herë. Raportet thonë se sulmuesi i tij është arrestuar menjëherë.

Ish-guvernatori i Tokios, Yoichi Masuzoe, tha në një postim në Twitter se 67-vjeçari Abe ishte në një gjendje arresti kardiopulmonar.

Termi përdoret shpesh përpara se një vdekje të konfirmohet zyrtarisht në Japoni.

“Ish-kryeministri Abe u qëllua rreth orës 11:30 me orën lokale japoneze në Nara. Një burrë, që besohet të jetë ai që ka qëlluar, është arrestuar. Gjendja e ish-kryeministrit Abe aktualisht nuk dihet”, u tha gazetarëve shefi i kabinetit, Hirokazu Matsuno.

Transmetuesi publik NHK transmetoi pamjet që tregonin Abe të rrëzuar në rrugë, me disa roje sigurie që vraponin drejt tij. Ai thuhet se u qëllua disa minuta pasi filloi të fliste jashtë një stacioni kryesor treni në Narën perëndimore.

Kryeministri Fumio Kishida, i cili i përket së njëjtës parti politike si Abe, është në rrugën e tij për në Tokio me një helikopter nga destinacioni i tij i fushatës Yamagata, në Japoninë veriore. Matsuno tha se të gjithë ministrat e kabinetit duhet të kthehen në Tokio nga udhëtimet e tyre të fushatës.

Në një pamje tjetër, zyrtarët e fushatës po e rrethonin për të trajtuar ish-udhëheqësin popullor, i cili është ende me ndikim në Partinë Liberale Demokratike në pushtet dhe kryeson fraksionin e saj më të madh Seiëakai. Zgjedhjet për dhomën e lartë të Japonisë, dhomën më pak të fuqishme të parlamentit të saj, pritet të mbahen të dielën./AP