Ish-kryeministri Hoti analizon gjendjen ekonomike, kritikon Qeverinë

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish-kryeministri, Avdullah Hoti përmes një shkrimi në Facebook është shprehur se viti 2023 nuk do jetë më i mirë se viti 2022 në aspektin e përmirësimit të gjendjes ekonomike.

Sipas tij, tashmë ka kaluar gjysma e mandatit të kësaj qeverie, por nuk dha asnjë shenjë në ekonomi.

“Kaloi gjysma e mandatit qeverisës dhe asnjë shenjë nuk e bëri në ekonomi qeveria e “punësimit dhe drejtësisë”. Viti 2022 u përshkua me mungesë të qeverisjes efektive, e cila do t’i mbronte qytetarët nga inflacioni dhe do të promovonte zhvillim ekonomik. Parashikimi për vitin 2023 poashtu nuk është më i mirë”- ka shkruar Hoti.

Më poshtë gjeni disa nga faktorët që ka renditur Hoti lidhur me ekonominë dhe inflacionin gjatë vitit 2022:

1. Rritja ekonomike më 2022 prej 3.5 përqind erdhi nga rritja e konsumit privat dhe eksporteve, e jo nga investimet publike apo private. Në fakt, më 2022 bruto investimet kapitale kanë rënë për -6.9 përqind dhe konsumi qeveritar ra për -0.8 përqind, duke ndikuar negativisht në rritjen ekonomike.
2. Inflacioni, i cili arriti kulmin në 14.2 përqind në korrik 2022, erdhi si rezultat i rritjes të kostos së transportit, çmimit të energjisë dhe çmimit të ushqimeve. Situata nuk u menaxhua si duhet nga Qeveria pasi ngarkesat tatimore mbetën të pandryshuara. Jo vetëm që nuk e suspendoi akcizën në naftë për një kohë, por Qeveria nuk e uli as TVSH-në Nga 18% në 8% për disa artikuj ushqimor shtesë, edhe pse këtë ia mundësonte ligjin për TVSH-në. Si rezultat, Qeveria mblodhi qindra miliona euro TVSH nga rritja e çmimeve të naftës, energjisë dhe ushqimeve. Për pasojë, bilanci bankar i Qeverisë gjatë vitit 2022 ishte tepër i lartë. Pasi ato mjete nuk u shpenzuan në investime kapitale, ato u zhvlerësuan nga inflacioni.
3. Eksportet u rritën me 27%, por për shkak të bazës së ulët nuk kishin efekt të ndjeshëm në uljen e deficitit tregtar. Në anën tjetër, importet u rritën me 22%, dhe për shkak të madhësisë së tyre, deficiti tregtar u thellua edhe për 1 miliardë euro. Kjo është indikative se në tregun vendor ende nuk ka rritje substanciale të prodhimit vendor, siç trumbetohet nga qeveritarët.
4. Edhe ato pak investime që ndodhën gjatë vitit 2022 ishin kryesisht në ndërtimtari dhe si rezultat, kishin efekt shumë të kufizuar në produktivitet dhe rritje ekonomike.
5. Deficiti buxhetor ra ndjeshëm, por kjo ishte si rezultat i dy faktorëve: (i) të hyrave shtesë që erdhën nga rritja e çmimeve pasi normat tatimore mbetën të pandryshuara, si dhe (ii) nënshpenzimit të ndjeshëm në investime kapitale publike, të cilat kanë qenë rekord të ulëta.
6. Të ardhurat reale ranë dhe standardi i jetës u përkeqësua për shkak të inflacionit dhe mungesës së masave adekuate qeveritare. Në vend që të ruhej fuqia blerëse e të ardhurave për të gjithë qytetarët përmes indeksimit të pagave e pensioneve në sektorin publik dhe pagës minimale në sektorin privat për normën e inflacionit, intervenimet e qeverisë u fokusuan në pako emergjente të natyrës sociale. Edhe pse këto intervenime ndihmuan grupe të caktuara të qytetarëve, ndihma ishte e njëhershme dhe nuk e zgjodhi problemin e rënies së të ardhurave reale gjatë vitit 2022 për familjet në përgjithësi.
7. Në vitin 2023, rritja ekonomike pritet të jetë rreth 3.7 për qind, që është pothuajse e njëjtë me atë të vitit 2022. Shpresa këtu mbetet tek stabilizimi i çmimeve në tregje ndërkombëtare. Nuk shihet në horizont ndonjë politikë ekonomike që mund të krijojë ndonjë moment të ri për t’i dhënë shtytje zhvillimit dhe punësimit në vitin 2023 dhe 2024.