Ish krerët e UÇK-së do të përballen me rreth 312 dëshmitarë

Në Dhomat e Specializuara të Hagës po mbahet konferenca përgatitore e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për rastin ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi.

Në këtë konferencë, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se do të ftojë rreth 312 dëshmitarë.

Sipas ZPS, 110 prej këtyre dëshmitarëve do të dëshmojnë për strukturën e UÇK-së.

“Kemi 188 dëshmitarë lidhur me krimet, për strukturën e UÇK-së- 110 dëshmitarë. Për veprimet dhe sjelljen e të akuzuarve 63. Nëse mblidhen këto shifra dalin më shumë se 312, disa dëshmi mund të jenë përsëritëse. Këto janë kategoritë”- deklaroi Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po mbahen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Deri më tani, Gjykata ka refuzuar çdo kërkesë për mbrojtje në liri të ish-krerëve të UÇK-së.

Ata po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit si përndjekje, burgosje, akte çnjerëzore, torturë, zhdukje dhe vrasje, si dhe me 10 pika për krime lufte si arrestim, ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK