Ish-komercialisti i IPKO-s ballafaqohet me akuzën se vodhi mbi 3 mijë euro nga kompania
Alban Sylafeta, ish-komercialisti i kompanisë mobile “IPKO”, i akuzuar për përvetësim në detyrë dhe falsifikim të dokumentit zyrtar, nuk e pranoi akuzën e Prokurorisë së Gjakovës.
Sylafeta po akuzohet se ka falsifikuar fatura dhe ka përvetësuar 3,660 euro nga kompania “IPKO” dhe klientët e saj.
Duke mos pranuar fajin, ai tha se aktakuza e Prokurorisë ka kontradikta në vete.
Ndërsa gjykatësi i rastit, Mentor Bajraktari e obligoi të akuzuarin që në afat prej 30 ditësh me shkrim t’i paraqet kërkesën për hedhjen e aktakuzës dhe provave të saj.
Sipas Prokurorisë, Alban Sylafeta në periudhën kohore nga 21 dhjetor 2016 e deri më 28 shtator 2018, si zyrtar-komercialist në “IPKO”, për 10 klientë që kanë bërë pagesat vjetore në emër të shërbimeve të internetit, i akuzuari nga shuma e mjeteve të pranuara ka deponuar vetëm shumën të paraparë për një muaj shërbim në llogarinë bankare të IPKO-së.
Aktakuza shpjegon se shuma e mbetur ka figuruar si borxh në emër të klientëve, ashtu që i pandehuri të dëmtuarve të lartcekur ju lëshon fatura false duke iu konfirmuar se pagesa për shërbimet e kompanisë është ekzekutuar për një vit,ndërsa shumën tjetër e përvetëson.
Me këtë rast, sipas aktakuzës klientëve dhe të dëmtuarve nga kompania “IPKO” iu ndërpritet shërbimi i kërkuar për mos pagesë dhe me këtë klientëve të kompanisë ju ka shkaktuar dëme materiale në shumën prej 3,660 eurosh.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Alban Sylfeta, me dije ka përpiluar dokumente të falsifikuara me qëllim që t’i përdor ato në emër të shërbimeve të internetit duke ndërhyrë në faturat të cilat i gjeneron sistemi i kompanisë “IPKO” në mënyrë automatike dhe nuk lejohet ndërhyrje në të njëjtat.
Aktakuza thotë se i akuzuari ka ndërhyrë në formën dhe përmbajtjen e këtyre faturave duke shënuar përmbajtje të rreme, më pas të njëjtat ua lëshon klientëve të kompanisë “IPKO dhe të dëmtuarve të lartcekur.
Me faturat e rreme, sipas prokurorisë, i akuzuari ka konfirmuar se kinse pagesa në emër të shërbimeve të internetit është bërë në kohëzgjatje prej një viti në bazë të kontratave të lidhura me kompaninë “IPKO” edhe pse këto pagesa janë bërë vetëm pjesërisht në xhirollogarinë e kompanisë “IPKO” në emër të klientëve.
Mirëpo, pjesa e tjetër e mjeteve nuk janë deponuar në llogarinë bankare të kompanisë në emër të klientëve por janë përvetësuar nga i akuzuari.