Ish-komandanti i ushtrisë amerikane për Evropë kundërshton largimin e trupave amerikane nga Kosova

Ish-komandanti i ushtrisë amerikane për Evropë, gjenerali në pension Ben Hodges, e ka kundërshtuar paralajmërimin për heqje të trupave amerikane nga Kosova.

Duke e shpërndarë në Twitter, publikimin e Donald Trump Junior, të birit të Presidentit të SHBA-ve Donald Trump, i cili e ka mbështetur kërkesën e senatorit amerikan David Perdue, për tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova, Hodges ka thënë se ky do të ishte një gabim i madh.

David Perdue, senator amerikan, të martën ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që sa më shpejt ta largojë tarifën ndaj mallrave të Serbisë.

“Ky do të ishte një gabim … KFOR-i është spiranca e vetme e stabilitetit në rajon. Tërheqja e tyre tani, përpara se të zbatohen marrëveshjet, do të ishte sikur të tërhiqnit të gjithë lojtarët startues në mes të një rikthimi në çerekun e katërt, pak para se të merrni epërsinë”, ka shkruar Ben Hodges.

Kryeministrit Albin Kurti po i kërkohet që menjëherë të heq tarifën 100 për qind, pas paralajmërimeve të ShBA-së, për tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, muajin e kaluar ka thënë se pas konsultës me institucione të ndryshme, ka ardh në përfundim që nga 15 marsit të hiqet tarifa 100 për qind ndaj lëndës së parë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.