Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë, Hagë

Ish-komandanti i UÇK-së, Pjetёr Shala, transferohet në Hagë

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, është transferuar në Hagë, pasi më 16 mars u arrestua në Belgjikë.

Shala, i cili ka një aktakuzë të konfirmuar nga Gjykata Speciale, ishte komandant në Zonën Operative të Dukagjinit.

“Më 16 mars 2021, autoritetet e Belgjikës në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestimit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK), arrestuan zotin Pjetër Shala në Belgjikë. Më 15 prill 2021, z. Shala u transferua në objektin e paraburgimit të DHSK-së në Hagë”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

“Gjykatësi i Procedurës Paraprake, Nikola Giju e konfirmoi aktakuzën kundër z. Shala më 12 qershor 2020. Aktakuza e konfirmuar e redaktuar tashmë është bërë publike në pajtim me rregullën 88 të Rregullores së Procedurës dhe Provave. Për arsye sigurie, Gjykatësi i Procedurës Paraprake urdhëroi që aktakuza të bëhej publike me redaktime”, thuhet tutje në njoftim.

Në njoftim janë dhënë edhe disa detaje për pretendimet e Prokurorisë që ngarkohet ish-komandanti i UÇK-së.

“Në aktakuzën e konfirmuar z. Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt. Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Siç ka njoftuar Gjykata Speciale, së shpejti do të jepet informacion mbi datën dhe orën e paraqitjes së parë të Shalës para gjykatësit të procedurës paraprake.

Pjetër Shala arrestohet për krime lufte nga Prokuroria në Hagë

www.kallxo.com