Ish kandidatin e PDK-së për asamble, Fadil Nura e vendos në krye të QKMF-së

Agron Mehmeti, ish-kandidati për asamble të Komunës së Skenderajt nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), është vendosur përkohësisht në krye të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF).

Për emërimin e tij, kryetari Fadil Nura është thirrur në bazë të kompetencave dhe përgjegjësive që ka si kryetar.

“Ditë e re me përgjegjësi të reja! E gjithë kjo krahas nevojës së menjëhershme për të adresuar nivelin e ofrimit të shërbimeve shëndetësore. Gjendja e rëndë në këtë sektor është e papranueshme, shkaqet dhe arsyet nuk mund të jenë të pakalueshme në raport me kërkesat dhe nevojat e qytetarëve, andaj jemi mëse të vendosur për t’i dhënë zgjidhje të duhur! Profesionalizmi, vullneti dhe angazhimi mbi bazën e bashkëpunimit korrekt dhe të ndërsjellë, janë çelësi i suksesit. Të priftë e mbara dhe suksese, Dr. Agron Mehmeti, në krye të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare!”, ka shkruar Nura.

Pozitën e drejtorit të QKMF-së në Skenderaj e ka ushtruar Osman Veliu. Në qeverisjen e Bekim Jasharit, për një periudhë të shkurtër kishte qenë edhe drejtor i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

KALLXO.com ka provuar që të marrë një koment edhe nga Osman Veliu, por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.

Agron Mehmeti me profesion është Specialist i Pediatrisë.

Mehmeti në zgjedhjet lokale të mbajtura me 17 tetor 2021 me listën e PDK-së për asamble kishte marrë vetëm 279 vota.

Më këto vota, ai nuk arriti të siguroj ulëse në asamblenë e Komunës së Skenderajt.