Ish-kandidati për deputet i LDK-së emërohet në Bordin e Infrakos-it

Më 19 tetor 2020 Qeveria Hoti e ka emëruar Brahim Selimajn, Sead Thaçin, Avni Kajdomqajn dhe Sanja Lazareviqin në bordin e përkohshëm të ndërmarrjes “Hekurudhat e Kosovës – Infrakos”.

Brahim Selimaj ka qenë kandidat për deputet nga radhët e LDK-së në zgjedhjet e parakohshme që janë mbajtur në vitin 2019.

Selimaj ka mbajtur numrin 65 në listën e kandidatëve për deputetë në listën zgjedhore të LDK-së. Selimaj kishte grumbulluar 5,565 vota në zgjedhjet e 6 tetorit.

KALLXO.com ka siguruar edhe CV-në e Selimajt. Ai në CV ka shkruar që ka qenë themelues i LDK-së në vitin 1989, nënkryetar i nëndegës 07 shtatori për tri mandate, anëtar i Kryesisë së LDK-së dega në Pejë nga viti 1999 deri në vitin 2019, kryetar i nëndegës 07 shtatori nga viti 2014 deri në vitin 2019. Po ashtu, Brahimaj ka shkruar që përveç në vitin 2019, ai ka qenë kandidat i LDK-së për deputet edhe në vitin 2014.

Ai po ashtu ka qenë kryetar i Shoqatës së Ndërtuesve dhe prodhuesve të materialit ndërtimor nga viti 2014 deri në vitin 2018. 

Selimaj në një intervistë për KALXO.com kur kishte kandiduar për deputet në vitin 2019 kishte deklaruar se është për ndërtimin e Autostradës së Dukagjinin.

KALLXO.com ka tentuar të marrë një konfirmim edhe nga Brahimaj por në numrin e tij të telefonit vazhdimisht është lajmëruar bashkëpunëtori i tij. Po ashtu KALLXO.com ka kërkuar një konfirmim edhe nga zyra për informim e LDK-së por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Emërimi i Selimajt në bordin e ndërmarrjes “Infrakos” është në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike.

Ligji për Ndërmarrjet Publike thotë që të gjithë drejtorët duhet të jenë të pavarur.

“Një person nuk konsiderohet i pavarur dhe nuk kualifikohet për zgjedhjet si drejtor në një ndërmarrje publike nëse: është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajshe para datës së aplikimit ka qenë zyrtar i zgjedhur publik, i emëruar politik ose bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike”, thuhet në nenin 17, pikën 2 të Ligjit të Ndërmarrjeve Publike.

Qeveria e Kosovës më 19 tetor ka emëruar bordet e përkohshme të ndërmarrjeve Infrakos, Posta e Kosovës si dhe të Trepçës.

Më 11 korrik të këtij viti Qeveria e Kosovës ka hapur konkurs për borde të drejtorëve për 11 ndërmarrje publike.

Shumica e këtyre ndërmarrjeve për të cilat ka hapur konkurs Qeveria e drejtuar nga Avdullah Hoti, kanë borde të përkohshme.

Bordi i rregullt i Infrakos është shkarkuar më 2 shkurt nga Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti. Bordi i Ndërmarrjes Infrakos përbëhej nga Enver Aruqaj –Kryesues, Lundrim Camaj –anëtar, Enis Berisha – anëtar, Shkëlqim Osmanaj –anëtar, Nagip Skenderi – anëtar dhe Arben Dodaj –anëtar.

Pas shkarkimit të bordit të udhëhequr nga Aruqaj, Qeveria Kurti kishtë emëruar bordin e përkohshëm. Në emërimin e ri, kryesues ishte zgjedhur Enis Berisha, dërsa anëtarët e tjerë të bordit të Infrakos ishin Vjollca Jashari, drejtore; Artan Dërmaku, drejtor dhe Abdullah Lala, drejtor.

Bordet e përkohshëme të ndërmarrjeve Posta e Kosovës, Infrakos dhe Trepça janë emëruar për shkak se bordeve të përkohshme të emëruara nga Qeveria Kurti në muajin prill i ka skaduar mandati.

KALLXO.com ka raportuar se edhe njëri nga anëtarët e emëruar në bordin e përkohshëm të Trepçës, Esat Peci, ka qenë asamblist i AAK-së në Mitrovicë.

Po ashtu, KALLXO.com ka raportuar se edhe anëtarja e emëruar në bordin e përkohshëm të Postës së Kosovës, Elda Maloku, është aktiviste e Nismës Sociademokrate.