Foto: KALLXO.com

Ish-kandidati i LVV-së për Asamble emërohet në bord të "Trepçës"

Një ish-kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për Asamble Komunale është emëruar në bordin mbikëqyrës të ndërmarrjes publike “Trepça” Sh.A. nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Bujar Bilalli ka qenë pjesë e listës për Asamble të Komunës së Mitrovicës nga radhët e Vetëvendosjes në zgjedhjet lokale të viti 2013. Asokohe, ai më 81 vota nuk kishte arritur që të fitojë ulëse në Asamblenë e Mitrovicës.

Ligji për Ndërmarrjet Publike thotë që një anëtar i bordit nuk duhet të jetë në pozita udhëheqëse në parti apo të jetë kandidat për asamble apo deputet në 36 muajt e fundit.

Bilalli i kontaktuar nga KALLXO.com ka thënë se nga ai kandidim nuk ka marrë më pjesë në asnjë aktivitet politik, prandaj sipas tij kanë kaluar mbi 8 vjet që kur ka qenë kandidat për Asamble.

Bujar Bilalli – Foto/ Umib.net

“Po kam qenë pjesë e listës së Lëvizjes Vetëvendosje për asamble të Mitrovicës në vitin 2013, nuk kam çka me mohu, sepse janë dokumentet. Kjo ka qenë hera e parë dhe e fundit. Që atëherë nuk jam pjesë eas  aktiv në asnjë politikë. Jam kyç me punu për kompani ndërkombëtare. Nuk ka pas asnjë ndikim aktiviteti jem i atëherëshëm për emërim, e them me përgjegjësi të plotë”, u shpreh ai. 

Në konkursin për “Trepçën”, Bilalli, ishte i trembëdhjeti në listën e 19 kandidatëve të rekomanduar, duke mbledhur vetëm 138 pikë apo 58%. Nëntë kandidatë të tjerë që kishin marrë më shumë pikë se Bilalli nuk janë emëruar nga Qeveria Kurti në bordin e “Trepçës”.

BIRN e ka monitoruar procesin e konkursit të zgjedhjes për anëtar të bordit mbikëqyrës të “Trepça” Sh.A, të mbajtur në dy takime, tetor 2021 dhe janar 2022. 

Konkursi ishte shpallur më 22 maj 2021 dhe kishte qenë i hapur deri më 20 qershor 2021. Për këtë pozitë kanë aplikuar 57 kandidatë.

Komisioni vlerësues është udhëhequr nga Naim Bërdiqi, ndërsa anëtarë kanë qenë: Jeta Zagraxha, Fikrije Zymberi, Ferit Maliqi, Alban Nevzati dhe Hazir Çadraku.

Përvec Bilallit, në bordin e “Trepcës” janë emëruar edhe Bahri Hyseni në cilësin e kryesuesit, ndërsa anëtarë të bordit janë emëruar: Ibrahim Krasniqi, Muharrem Peci dhe Xhevdet Tahiri.