Ish-kandidati i LDK-së për deputet emërohet në bordin e Postës së Kosovës
Më 19 tetor 2020, Qeveria Hoti e ka emëruar Fadil Aliu – Herticën, Leonard Shabanin dhe Elda Malokun në bordin e përkohshëm të Postës së Kosovës.
Fadil Aliu – Hertica ka qenë kandidat për deputet nga radhët e LDK-së në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017.
Aliu kishte mbajtur numrin 91 në listën e kandidatëve për deputetë në listën zgjedhore të LDK-së. Aliu kishte grumbulluar 2,841 vota në zgjedhjet e 11 qershorit 2017.
KALLXO.com ka tentuar të marrë një konfirmim edhe nga Aliu por i njëjti ka kërkuar që ta telefonojmë javën e ardhshme për arsye personale dhe nuk është përgjigjur në pyetje. Aliut i është dërguar edhe mesazh në të cilin i është kërkuar konfirmimi nëse është anëtar i LDK-së por i njëjti nuk është përgjigjur deri në publikim të këtij artikulli. Po ashtu KALLXO.com ka kërkuar një konfirmim edhe nga zyra për informim e LDK-së por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
KALLXO.com ka siguruar CV-në e Fadil Aliut. Aliu që nga viti 2005 është pjesë e Institutit Riinvest, fillimisht si hulumtues, pastaj nga viti 2007 si hulumtues i lartë, nga viti 2009 si prodekan për mësim, ligjërues dhe drejtor menaxhues, në vitin 2012 ai ka marrë pozitën e drejtorit financiar në këtë Institut dhe ka vazhduar të jetë ligjërues, në vitin 2013 Aliu është emëruar drejtor i Departamentit Ekonomik dhe në të njëjtën kohë ka qenë edhe ligjërues.
Derisa nga tetori i vitit 2014 ai është ligjërues në Kolegjin Riinvest. Ai ligjëron lëndët “menaxhimi i bankave dhe operacionet financiare”, “menaxhmenti financiar”, “makroekonomia” si dhe “statistika për ekonomistë”.
Qeveria e Kosovës sot ka emëruar bordet e përkohshme të ndërmarrjeve Infrakos, Posta e Kosovës si dhe të Trepçës.
Më 11 korrik të këtij viti Qeveria e Kosovës ka hapur konkurs për borde të drejtorëve për 11 ndërmarrje publike.
Shumica e këtyre ndërmarrjeve për të cilat ka hapur konkurs Qeveria e drejtuar nga Avdullah Hoti, kanë borde të përkohshme.
KALLXO.com kishte raportuar se partitë të cilat kanë qenë pjesë e koalicionit qeverisës, PDK-AAK-Nisma Socialdemokrate kishin ndarë ‘hisen’ në tri pjesë në Bordin e Postës së Kosovës. 6 anëtarët e bordit të Postës së Kosovës kanë qenë: Halit Isufi, kryesues; Hysen Fazliu, anëtar; Rushan Ceka, anëtar; Zelfije Pllana, anëtare; Nuhi Provoliu; anëtar dhe Ylber Zabërgja, anëtar.
Më 2 prill, Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti, kishte marrë vendim për shkarkimin e bordit të Postës së Kosovës dhe emërimin e bordit të përkohshëm të kësaj ndërmarrje publike.
Anëtarët e bordit të përkohshëm të Postës së Kosovës të emëruar nga Qeveria Kurti ishin: Mentor Arifaj, kryesues dhe drejtor; Kujtim Shala, drejtor; Sajmie Thaçi, drejtore dhe Blerton Abazi, drejtor.
Bordet e përkohshëme të ndërmarrjeve Posta e Kosovës, Infrakos dhe Trepça janë emëruar për shkak se bordeve të përkohshme të emëruara nga Qeveria Kurti në muajin prill i ka skaduar mandati.
KALLXO.com kishte raportuar se edhe njëri nga anëtarët e emëruar në bordin e përkohshëm të Trepçës, Esat Peci, ka qenë asamblist i AAK-së në Mitrovicë.
Po ashtu, KALLXO.com ka raportuar se edhe anëtarja e emëruar në bordin e përkohshëm të Postës së Kosovës, Elda Maloku, është aktiviste e Nismës Sociademokrate dhe Brahim Selimaj ka qenë kandidat për deputet nga radhët e LDK-së në zgjedhjet e parakohshme që janë mbajtur në vitin 2019.