Ish-kandidati i AAK-së për deputet fiton tender nga Komuna e Gjakovës

Fatos Axhemi, ish-kandidat për deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të vitit 2019, ka fituar një tender në muajin shtator nga Komuna e cila udhëhiqet nga nënkryetari i kësaj partie.

Komuna e Gjakovës për të dytin mandat radhazi udhëhiqet nga Ardian Gjini.

Tenderi është për shërbime konsulente për bizneset në komunë.

Fatos Axhemi në një prononcim për KALLXO.com thotë se aplikoi në bazë të ekspertizës që është kërkuar në tender, dhe në bazë të përvojës.

Ai mohoi se ka qenë ndonjëherë anëtar i partisë AAK.

Sipas tij, kur ka përfunduar procesi zgjedhor i vitit 2019, ka përfunduar, sipas tij, edhe angazhimi politik.

“Unë kam apliku, në bazë të ekspertizës që është kërkuar aty, edhe në bazë të përvojës. Domethënë përvojës time personale. Kjo është qasje profesionale, për angazhim konsulent në ndihmë të biznesit” – ka thënë Axhemi për KALLXO.com.

“Unë asnjëherë nuk kam nënshkru asnjë dokument të vetëm që jam anëtar, angazhimi im politik ka përfunduar me atë situatë, para tri viteve” – shtoi ai.

Tenderi për ‘Shërbime konsulente për zhvillimin e biznesit në komunën e Gjakovës’ është hapur me 14 shtator, ndërsa kontrata është e nënshkruar me 29 shtator. Vlera e përgjithshme e kontratës është 5 mijë e 880 euro dhe kohëzgjatja e saj është për 12 muaj.

Axhemi ka thënë se konsulenca që ai do të ofrojë, ka të bëjë me përgaditjen e iniciativës, që do t’i shërbejë komunës për themelimin e ‘Klubit të Biznesit’ në komunën e Gjakovës.

“Unë kam me i kry të gjitha procedurat për me i ndihmu Komunës për me e ndërtu infrastrukturën për ‘Klubin e Biznesit’, domethënë është një situatë që do të kuptohet gjatë rrugës, a nevojitet me u themelu një rrjet, apo një organizatë apo çfarëdo forme. Por, sido që të jetë krejt këto aktivitete e kanë trajtën e zhvillimit strategjik për komunitetin e biznesit” – ka thënë tutje Axhemi.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga Komuna e Gjakovës, por deri në publikimin e artikullit, Komuna nuk ka ofruar përgjigje.

Procedura e tenderit që ka fituar Axhemi është ‘kuotim i çmimit’. Sipas Ligjit të Prokurimit Publik, nenit 36, procedura ‘kuotim i çmimit’ përdoret në rastet kur mallrat apo shërbimet e kërkuara janë në dispozicion dhe nuk ka nevojë që të prodhohen apo përpunohen posaçërisht.

“Autoriteti kontraktues mund të përdorë procedurat për kuotimin e çmimeve.. nëse në rast të mallrave ose shërbime janë në dispozicion nga operatorët ekonomik, nuk ka nevojë që të prodhohen posaçërisht, në mënyrë që t’i përmbushin kërkesat e autoritetit kontraktues dhe vetëm ekziston një treg për mallrat dhe shërbimet e tilla” – thuhet ndër të tjera në këtë nen.

Kontrata e nënshkruar