Ish gjyqtari i Kushtetueses, pjesë e listës së PDK-së

Kadri Kryeziu ka vendosur t’i rikthehet politikës, pas gati 10 vite sa qëndroi larg partive politike. Ish-anëtari i kryesisë së AAK-së ka vendosur t’i bashkohet Kadri Veselit.

Për zgjedhjet  e 6 tetorit i njëjti do të garojë për deputet i përfshirë në listën e PDK-së.

Kadri Kryeziu aktualisht është i angazhuar si profesor i rregullt në Universitetin e Prizrenit “ Ukshin Hoti “ në Fakultetin Juridik, gjithashtu i njëjti mban edhe funksionin e Prorektorit  për Buxhet, Financa dhe Infrastrukturë. Ky universitet këtë vit nuk është akredituar dhe nuk mund të pranojë studentë të rinj.

I njëjti në muajin maj të 2019 kishte synuar pozitën e rektorit në Universitetin e Prizrenit, por nuk kishte arritur të merrte asnjë votë të vetme nga 7 anëtarët e bordit drejtues që kishin votuar.

Kadri Kryeziu gjatë periudhës 2009-2015 ka qenë gjyqtar dhe nënkryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Ai ka treguar për KALLXO.com se pse ka vendosur t’i kthehet politikës.

“Duke marrë parasysh se që nga viti 1981 nga organizimi i Protestave, kam qenë pjesë e proceseve të ndërtimit të bazave të shtetit të Kosovës, konsideroj që mund të mund të kontribuoi shumë në proceset që e presin Kosovës”, tha ai.

Ndërsa tha se edhe ka pasur kërkesa të mëdha nga qytetarët dhe studentët që i njëjti të garojë dhe të jap kontributin si deputet.

Ish – gjyqtari i Kushtetueses tha se nuk i është premtuar ndonjë pozitë apo Ministri, por se do të jetë i gatshëm për çfarëdo pozite që i ofrohet ku mund të jep kontribut në fushën e drejtësisë.

Nga viti 2000 e deri në 2009 Kryeziu ka qenë anëtar i Kryesisë së AAK-së.

Ndërsa i njëjti ka qenë edhe asamblist gjatë periudhës 2000 – 2004 në Asamblenë Komunale Prizren.

Për 4 vite gjatë periudhës 2004 – 2008 i njëjti ka mbajtur pozitën e Zëvendës Ministrit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë