Malcolm Howard Simmons, gjyqtar i dorëhequr i EULEX-it. Foto: EULEX/Video

Ish-gjyqtari i EULEX-it i gatshëm të dëshmojë në Komision për Legjislacion

Komisioni parlamentar për Legjislacion ka vendosur që më datën 18 deri më 20 janar ta ftojë për dëshmi ish-gjyqtarin e EULEX-it, Malcolm Simmons, në lidhje me pretendimet e tij për parregullsi që ka pasur nga gjyqtarët e EULEX-it gjatë shqyrtimeve të disa proceseve gjyqësore.

Po ashtu ish-gjyqtari Simmons ka shprehu gatishmërinë që të dëshmojë edhe para komisionit hetimor nëse një i tillë formohet nga Kuvendi. Avokati i ish-gjyqtarit Simmons, Artan Qerkini, përmes këtij dokumenti dorëzuar komisionit për Legjislacion ka bërë të ditur se zoti Simmons për shkak të pandemisë ka shfaqur gatishmërinë që të dëshmojë në platformën online para komisionit duke dhënë edhe datat si kohë të përshtatshme për të: 15.16.17 dhjetor 2020 ose 06.07.08.13.14.15.18.19.20 janar 2021.

Për ta shqyrtuar këtë kërkesë, anëtarët e komisionit parlamentar të Legjislacionit sot mbajtën mbledhje ku dhanë edhe qëndrimet e tyre në lidhje me kohën e përshtatshme për dëshminë e ish-gjyqtarit të EULEX-it, Malcolm Simmons. Datat 18 deri më 20 janar 2021 të vendosura nga anëtarët e Komisionit të Legjislacionit do t’i dërgohet ish-gjyqtarit, Malcolm Simmons, me një kërkesë  që mundësisht ai të paraqitet fizikisht. Komisioni vendosi po ashtu që secili deputet i Kuvendit mund të marrë pjesë në mbledhjen e komisionit gjatë dëshmisë se ish-gjyqtarit të EULEX-it.

Po ashtu ish-gjyqtari i EULEX-it, Malcolm Simmons, përmes këtij dokumenti ka premtuar se është i gatshëm të dëshmojë edhe para komisionit hetimor nëse një i tillë formohet nga Kuvendi. Malcolm Simmons, ish-kryetar i gjykatësve në EULEX kishte dhënë dorëheqje nga ky institucion duke akuzuar EULEX-in dhe BE-në për korrupsion./RTV21