Malcolm Simmons

Ish-gjyqtari i EULEX-it: Gjykata Speciale është njëetnike

Malcolm Simmons, ish-kryetar i Asamblesë së Gjyqtarëve në misionin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX), ka deklaruar se Gjykata Speciale është gjykatë njëetnike.

Sipas tij, Dhomat e Specializuara nuk janë të interesuara për të arritur drejtësinë.

Kështu ka deklaruar ai, duke raportuar në Komisionin Parlamentar të Kosovës për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, për të shfaqur pretendimet e tij për “korrupsionin në EULEX”.

“(Gjykata Speciale) Është një gjykatë njëetnike dhe nuk është e interesuar për të arritur drejtësi. Është një gjykatë e cila si procesin, ashtu edhe rezultatin e kontrollon”, theksoi ai.

Nënkryetari i Komisionit Parlamentar, Driton Selamanaj nga LDK-së, e pyeti Simmons se pse kishte aplikuar të bëhej kryetar i Gjykatës Speciale.

Ai u përgjigj se këtë e kishte bërë për të njëjtat arsye që kishte aplikuar për gjyqtar në EULEX.

“Sepse unë punoj në mënyrë të hapur, të sinqertë dhe të drejtë. Nuk mund t’i kontrolloj personat përreth meje, shpresoj që kolegët e mi të jenë të drejtë”, tha ai.