Ish-gjykatësja e Gjykatës Kushtetuese: Duhet ligj i veçantë për t'i ndarë veprat penale

Ish-gjykatësja e Gjykatës Kushtetuese, Gjyljeta Mushkolaj, tha në debatin “Kallxo Pernime” se duhet një ligj i veçantë i cili bën diferencimin e veprave penale.

“Duhet të ketë diferencim të veprave penale. Ai diferencim i veprave penale duhet të bëhet me ligj të veçantë. P.sh. Ligji për zgjedhjet mundet ta bëjë një diferencim të tillë”, tha Mushkolaj.

“Neni 45 i Kushtetutës që flet për drejtat zgjedhore dhe për pjesëmarrje thotë se çdo shtetas i Kosovës që ka arritur moshën 18 vjet gëzon të drejtën për me u zgjedhë, përveç kur kjo i ndalohet me vendim gjyqësor. Andaj këtu duhet të ketë një ligj të veçantë që bën diferencim”, tha Mushkolaj.

Ajo thotë se kur është shkruar Kushtetuta dhe Ligji për zgjedhjet, ekspertët që e kanë shkruar nuk kanë komunikuar mes vete, pasi që ato janë përgatitur në të njëjtën kohë.

Gjykata Kushtetuese e ka publikuar vendimin e plotë duke shpallur përfundimisht Qeverinë Hoti si antikushtetuese.

Në debatin “Kallxo Pernime” u diskutua për këtë vendim të Kushtetueses.

Të ftuar në emision ishin, Faton Fetahu nga PDK, Tomë Gashi, Kreshnik Gashi, kryeredaktor i KALLXO.com dhe Labinot Leposhtica nga Zyra e Ligjore e BIRN-it.