Ish-funksionari i PDK-së avancohet në Ministrinë e Abelard Tahirit

Ish-anëtari i Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike në Kosovës, Petrit Reçica, që nga muaji kaluar (gusht 2019) është emëruar udhëheqës i Divizionit për Mbikëqyrjen e Profesioneve të Lira, divizion ky i cili operon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.

I njëjti në fillim kishte qenë zyrtar ligjor në Ministri të Drejtësisë e më pas është avancuar në pozitë muajin e kaluar.

Petrit Reçica ka qenë edhe anëtar i Këshillit Drejtues të PDK-së, i 15-i në listë.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga ana e Ministrisë së Drejtësisë në lidhje me avancimin e Reçicës në këtë pozitë.

E njëjta Ministri në disa përgjigje drejtuar KALLXO.com ka treguar së pari se konkursi ka qenë i brendshëm dhe ka pasur vetëm një vend pune, atë të udhëheqjes së divizionit.

Konkursi është publikuar me 11 korrik të këtij viti dhe ka qenë i hapur deri më 18 të të njëjtit muaj, ndërsa janë pranuar gjashtë aplikacione për këtë vend pune.

“Me Vendim të datës 23.07.2019 numër protokolli 02-1657 është emëruar Komisioni përzgjedhës i Shërbimit Civil për zhvillimin e procedurës së rekrutimit sipas konkursit të brendshëm për këtë pozitë”, thuhet në përgjigjet e Ministrisë së Drejtësisë drejtuar KALLXO.com.

Sipas sqarimeve të MD, nga gjashtë aplikues, katër kandidatë kanë hyrë në listë të ngushtë e më pas janë ftuar për test me shkrim i cili është mbajtur më 29 korrik të këtij viti.

“Nga katër kandidatët e suksesshëm, tre kandidatë kanë marrë pjesë duke qenë prezent në testin me shkrim, dhe pas kalimit të testimit me shkrim janë intervistuar me gojë më datë 02.08.2019. Kandidati i parë z.Reçica ka marrë 454 pikë totale në testin me shkrim dhe me gojë, ndërsa kandidati i dytë 430.5 pikë totale në testin me shkrim dhe me gojë dhe kandidati i tretë 410 pike në total në testin me shkrim dhe me gojë”, thuhet në përgjigjet e MD-së drejtuar KALLXO.com.

Vlerësimi për punën e fundit të Reçicës sipas sqarimit të MD-së është bërë për periudhën një vjeçare, pra që nga koha kur i njëjti kishte filluar punën si zyrtar ligjor.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me vetë Petrit Reçicën.

Ai ka thënë se me hyrjen në fuqi të Ligjit për zyrtarët publik, ka dhënë dorëheqje nga strukturat e partisë, ndërsa ka mohuar se mund të ketë pasur ndikim nga partia për avancimin e tij. Ligji ka hyre ne fuqi me 11 shtator ndersa procedura e avancimit është zhvilluar gusht.

“Lidhur me rastin që unë jam strukturë e PDK-së në Prishtinë mund të ju njoftoj që me hyrjen në fuqi të Ligjit të ri për zyrtarët publik, kam dhënë dorëheqje nga strukturat partiake”, ka thënë Reçica për KALLXO.com.

Kujtojmë që Partia Demokratike e Kosovës, ku Petrit Reçica deri para pak kohësh ishte pjesë e strukturave të larta të saj, moto kryesore të saj për zgjedhjet e 6 tetorit ka sloganin për luftë ndaj korrupsionit dhe nepotizmit.

Anëtarja e PSD-së së Shpend Ahmetit mundë kandidaten me dy mastera

.