Kuvendi i Kosovës | Foto: KALLXO.com

Ish-drejtorit financiar të Kuvendit i pamundësohet kompensimi i pagave për 12 vitet e humbura

Jusuf Nikçi, ish-drejtor financiar në Kuvendin e Kosovës ka rrëfyer për KALLXO.com se si Gjykatës Themelor në Prishtinë iu deshën 12 vite për të liruar nga akuzat për shkelje disiplinore në vendin e punës.

Përveç 12 viteve të humbura në vendin e tij të punës, Niçki pretendon se Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi, po e bllokon procesin e kompensimit të pagave të tij për 12 vitet e humbura.

Jusuf Nikçi – FOTO RTV 21

Nikçi ka treguar se pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë për lirimin e tij nga akuzat që i ishin bërë, Gjykata ka caktuar Aziz Berishën, ekspert financiar për të nxjerr ekspertizë me llogaritjen e pagave që Nikçi do t’i merrte po të ishte në vendin e tij të punës.

“Detyrohet eksperti financiar Aziz Berisha që të bëjë llogaritjen e pagave për paditësin, në pozitën  e Drejtorit Ekzekutiv Financiar në Kuvendin e Kosovës, sipas shkresave të lëndës prej datës 17 janar 2007 e deri në datë e përpilimit të ekspertizës”, thuhet në aktvendim.

Nikçi ka rrëfyer për KALLXO.com se për çfarë shume të parave bëhet fjalë.

“Prej 17 janarit 2007 deri më tani, bëhet fjalë për 12 vite e disa muaj, bëhet fjalë për gjithsej 146 muaj, që do të thotë nëse merret një pagë mesatare atëherë që ka qenë 500- 600 euro e tash është 1200 euro, është një shumë mjaftë e madhe e parave”, ka treguar Nikçi.

Ai ka shtuar se aktvendimi për llogaritjen e pagave të cilat duhet të kompensohen është marr më 4 shtator të këtij viti, dhe do të duhej të përfundonte brenda dy jave, por procesi është bllokuar, në pamundësi të sigurimit të të dhënave.

“Për momentin e vetmja formë është që tani eksperti t`i drejtohet gjykatës me një letër informuese që shënimet nuk po i japin dhe gjykata të ndërmerr veprimet e veta ligjore, kemi mbetur të bllokuar, pa i marr këto të dhëna për paga në nuk mund të vazhdojmë më tutje, as në gjykatë as kthimi në vendin e punës”, ka thënë Nikçi për KALLXO.com.

Ai tutje ka treguar se kur eksperti i ka kërkuar të dhënat nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi, i njëjti i ka dhënë të dhënat të cilat kanë qenë të panevojshme dhe jo ato të cilat eksperti i ka kërkuar.

“Ekspertit ia kanë dhënë kontratën e punës dhe pagat që i kisha realizuar në vitet kur isha aty, dhe të gjitha këto ishin të panevojshme. Vetëm me thënë po jep diçka, ato çka i ka dhënë ai ne i kemi në shkresat e lëndës në gjykatë, ne nuk i kemi kërkuar ato, ne i kemi kërkuar pagat, për këto vite të cilat do t`i kisha realizuar po të isha në vendin e punës”, rrëfen Nikçi.

Në lidhje me këtë rast, KALLXO.com ka kontaktuar edhe me ekspertin e caktuar nga Gjykata Themelore në Prishtinës, Aziz Berisha, i cili ka treguar se sipas aktvendimit të gjykatës i është drejtuar organit përgjegjës, Kuvendit të Kosovës, saktësisht Sekretarit të Përgjithshëm, që komfor vendimit të gjykatës t’i siguroj provat e nevojshme për llogaritjen e pagave të parealizuar të Jusuf Nikçit.

“Këtë kërkesë ja kam drejtuar sekretarit për herë të parë me datën 02.10.2019, në mungesë të dëgjueshmërisë së tij jam detyruar që të njëjtit t`i drejtohem me kërkesën e dytë, me 09.10.2019. Komfor kësaj kërkese, i njëjti, Sekretari i Kuvendit më ka ofruar të dhënat, por jo ato të cilat i kërkoja unë por për të dhëna të tjera”, ka thënë eksperti për KALLXO.com.

Ai tutje ka sqaruar se në mungesë të mirëkuptimit me Sekretarin e Përgjithshëm të Kuvendit, Ismet Krasniqi, është detyruar që të njëjtën kërkesë ta bëjë edhe dy herë të tjera.

Në kërkesën e katër të ekspertit, të bërë më 4 nëntor, drejtuar Kuvendit të Kosovës, është cekur në detaje kërkesa për pagat e Jusuf Nikçit.

“Po ju drejtohem për herë të katër duke shpresuar shumë se do të jetë kërkesa e fundit e nevojshme, që të më siguroni të dhënat mbi lartësitë e koeficientit të vendit të punës ku ishte paditësi Drejtor Ekzekutiv Financiar i Kuvendit dhe vlerën bazës të koeficientit, siç ajo ka pësuar ngritje për të njëjtën periudhë, si dhe se sa ka qenë paga shtesa në pagë gjatë të njëjtës periudhë në raport me pagën bazë të njëjtit vend pune”, thuhet në kërkesë.

Tutje eksperti ka paralajmëruar masa nëse këto të dhëna nuk sigurohet për gjykatën.

“Në të kundërtën, pra nëse të dhënat e cekuara nuk do ta na i siguroni në afat sa më të shkurtë, do të jemi të detyruar që menjëherë të njoftojmë Gjykatën për pa dëgjueshmërinë tuaj, dhe në këtë rast do të pësonin masat adekuate të Gjykatës ndaj personave përgjegjës të Kuvendit për neglizhencën e tuaj ndaj vendimeve të Gjykatës”, thuhet në kërkesë.

Për neglizhencën që Nikçi pretendon ta ketë bërë Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit ndaj rastit të tij, KALLXO.com ka kontaktuar edhe me këtë të fundit, për të marrë arsye për bllokimin e këtij procesi.

Ismet Krasniqi, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit të Kosovës në një përgjigje dhënë për KALLXO.com, nuk ka dashur të deklarohet në lidhje më këtë çështje.

“Çdo deklarim në lidhje me ketë çështje do ta prezantohet vetëm para gjykatës kompetente”, ka thënë Krasniqi.

Edhe pse ne kemi provuar përsëri të marrim një përgjigje pasi që mos deklarimi i tij në gjykatë ka bllokuar procesin, ai nuk ka kthyer ndonjë përgjigje.

Për masat që duhet të ndërmarr gjykata ndaj Krasniqi për shkak të mosrespektimit të vendimit të Gjykatës, KALLXO.com ka provuar të kontaktojë edhe me Gjykatën Themelore në Prishtinë, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij shkrimi.

Në vitin 2002, Jusuf Nikçi ishte zgjedhur shef i shërbimit të buxhetit, dhe pas një viti pune ishte zgjedhur drejtor ekzekutiv financiar, dhe pas një viti i njëjti ishte suspenduar nën dyshimin se kishte bërë shkelje serioze disiplinore në punë.

Në qershor të vitit 2018, Jusuf Nikçi u liruar nga akuza dhe u shpall i pafajshëm.