Ish-drejtori në Komunën e drejtuar nga NISMA emërohet kryeinspektor i Punës

Ish-sekretari i ministrisë së Arsimit, Ekrem Kastrati është emëruar nga Qeveria Hoti si kryeinspektor i Punës.

Kastrati në këtë pozitë është propozuar nga ana e Ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, që vjen nga Nisma Socialdemokrate. Ekrem Kastrati ka qenë drejtor komunal i Administratës në Komunën e Malishevës në vitet 2014-2015, komunë kjo që udhëhiqet nga Ragip Begaj i Nismës.

Kastrati për KALLXO.com ka konfirmuar se është propozuar nga ana e ministrit, Skender Reçica.

“Po, jam emëruar dje me propozim të ministrit dhe me aprovim të Qeverisë”, tha ai.

Por, ai mohoi të jetë pjesë e strukturave të Nismës si dhe të ketë ndikuar kjo parti që të propozohet për kryeinspektor.

“Jo s’jam pjesë e asnjë partie, asnjëherë s’kam qenë pjesë e asnjë strukture të asnjë partie.. Nuk ka ndiku, nuk ma merr mendja sepse nuk jam strukturë e saj. Kam qenë drejtor në komunën e Malishevës në vitin 2014. Por as atëherë nuk kam qenë pjesë por jam inkuadruar qeshtu. Jo as anëtar i thjeshtë kurrë s’kam qenë”, ka shtuar Kastrati.

Por, edhe pse ai e mohoi një gjë të tillë, në kohën kur ai ishte zgjedhur si drejtor i Administratës në Komunën e Malishevës, NISMA Socialdemokrate – Nëndega Turjakë, kishte shpërndarë një foto të tij.

 

Edhe në rrjetin social Facebook ka foto të Kastratit me ish-ministrin e Arsimit, Shyqiri Bytyqin, deputetin e Nismës, Enver Hoti dhe kryetarin e Nismës, Fatmir Limaj.

Sipas Ligjit të Inspektoratit të Punës, Kryeinspektori i punës udhëheq autoritetin e Inspektoratit të punës dhe është përgjegjës për zbatimin e detyrave që përmban funksioni i tij si dhe kryeinspektorin e punës e emëron Qeveria me propozim të Ministrisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale.

Në muaji shtator të viti 2019 ishte hapur konkursi dhe ishte planifikuar të zhvillohen procedurat e rekrutimit të kryeinspektorit të punës. BIRN ka qenë e kqyr në procesin e rekrutimit dhe ishte planifikuar që i njëjti të monitorohen, mirëpo procesi ishte ndal pasi kishte hyrë në fuqi Ligjit për Zyrtarët Publik që kishte shkaktuar paqartësi ligjore.

Emërimi i Kastratit pa konkurs publik është bërë duke u thirr në rregulloren për stafin tepricë i cili kërkon që qeveria e Kosovës t’i sistemojë personat tepricë para se të shqyrtojë mundësinë e hapjes së konkurseve.

Ne nenin 8 të kësaj rregullore flitet për përgjegjësin e institucioneve të Shërbimit Civil për ricaktimin e nëpunësit civil tepricë

“Çdo institucion i Shërbimit Civil, që është në proces të rekrutimit të punonjësve për një pozitë të lirë, para shpalljes së vendit të lirë të punës, duhet të përzgjedh kandidatë nga regjistri i nëpunësve civil tepricë, në qoftë se ai/ajo i plotëson kriteret për pozitën përkatëse”, thuhet në pikën të kësaj rregullore.

Ndërsa, në pikën 2 të këtij neni janë listuar edhe disa kushte para se një person që është tepric mund të emërohet në një pozitë të lartë.

“Në rast se ka më shumë se një nëpunës civil tepricë, të cilët i posedojnë kualifikimet dhe përvojën përkatëse për pozitën e lirë, institucioni do të zgjedhë kandidatin i cili ka: kualifikim më të lartë; përvojë pune më të gjatë; trajnime që lidhen me pozitën përkatëse”, thuhet në pikën 2 të këtij neni.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në Zyrën e Kryeministrit për të parë procedurat që janë ndjekur para se të vendoset që të emërohet Kastrati në këtë pozitë përpara ish-sekretarëve të tjerë të ministrave apo para se të vendoset që të mos-hapet konkurs të ri për këtë pozitë. Zyra e Kryeministrit deri në publikim të këtij teksti nuk është përgjigjur. KALLXO.com ka tentuar të kontaktojë edhe me ministrin e Punës, Skender Reçica, por ai nuk është përgjigjur në thirrjet telefonike.

Kastrati edhe kur ishte emëruar si sekretar i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, në kohën kur këtë ministri e kishte udhëhequr Nisma, ishte emëruar pa pëlqimin e britanikëve.

Pavarësisht që ambasada britanike si partner në përzgjedhjen e pozitave të larta dhe komisioni vlerësues kishin dhënë rekomandim se asnjëri nga tre kandidatët nuk kishte dhënë rezultat të kënaqshëm, ish-ministri i arsimit, Shyqiri Bytyqi kishte propozuar emrin e Kastratit për këtë pozitë.

Ish-Drejtori i Malishevës Emërohet Sekretar në Ministrinë e Drejtuar nga Nisma

.