Ilir Baldedaj. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ish-drejtori komunal në Prizren liron pozitat në AAK, pasi u dënua me burg pas hulumtimit të KALLXO.com

Ish-drejtori komunal në Prizren, Ilir Baldedaj i ka liruar të githa pozitat partiake në degën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Prizren, pasi pas hulumtimit të KALLXO.com, Baldedaj nga Gjykata Themelore në Prizren për keqpërdorim të detyrës zyrtare është dënuar me burgim efektiv prej 10 muajve.

Këtë e ka bërë të ditur vetë Baldedaj në Facebook.

“Pasi që gjykata themelore në Prizren me datë 15.01.2021 mori një aktvendim dënues në çështjen time, unë sot mora një vendim personal që ti liroj te gjitha pozita politike në Aleancë dega në Prizren”, ka shkruar ai.

Ish-zyrtari komunal ka dhënë edhe arsyet e një vendimi të tillë.

“Edhe pse vendimi i gjykatës nuk është i Plot fuqishëm, ofrimi i dorëheqjes sime është i karakterit moral dhe për të treguar respektin tim të thellë ndaj z. Ramush Haradinaj dhe organeve të drejtësisë së vendit tim dhe proceseve në të cilat ndodhet vendi im dhe si një praktikë e mirë për t`u përballur në vazhdim i pa ndikuar në procesin e mëtutjeshëm për kërkimin e pafajësisë sime. Falënderoj Kryetari Lulzim Kabashin edhe te gjith strukturat e dega se AAK-se ne Prizren besimin e dhënë, për bashkpunimin që kishim në rrugëtimin tonë të përbashkët”, ka shkruar ai.

Ish-drejtori komunal në Prizren, Ilir Baldedaj, i cili po ngarkohet për akuzat rreth moskthimit të laptopëve të komunës në kohën e qeverisjes së Ramadan Mujës, ka marrë një verdikt përfundimtar nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Xheladin Osmani.

Poashtu, Baldedaj është obliguar të paguaj shumën prej 100 euro në emër të paushallit gjyqësor, ndërsa 50 euro në emër të viktimave të krimit.

Nga sasia totale prej 43 laptopësh, 40 prej tyre i ishin shpërndarë asamblistëve të Komunës së Prizrenit në qeverisjen e kaluar, e njohur si qeverisja Muja 2.

Prokuroria në Prizren kishte ngritur aktakuzë ndaj një ish-zyrtarit të lartë të komunës së Prizrenit, pas një hulumtimi të KALLXO.com në shkurt të këtij viti se si asamblistët e mandatit të kaluar nuk i kanë kthyer laptopët pas përfundimit të mandatit.

Hulumtimi tregonte se kjo përbënte shkelje ligjore sipas rregullores për menaxhimin e pasurisë jo financiare në organizatat buxhetore të nxjerrë nga Qeveria e Kosovës.

Sipas Prokurorisë në vërtetimin mbi pranimin e laptopëve të nënshkruar nga asamblistët me rastin e pranimit të pasurisë së tillë, nuk figuron kushti që kjo pasuri shtetërore të kthehet pas përfundimit të mandatit publik.