Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ish-drejtori i RTK-së pranon raportin e Inspektoratit të Punës rreth shkarkimit të tij nga bordi

Ish-drejtori i Radiotelevizionit të Kosovës, Ngadhnjim Kastrati, ka thënë për KALLXO.com se ankesa e tij dhe raporti zyrtar i Inspektoratit të Punës rreth mënyrës së shkarkimit të tij nga bordi i RTK-së në janar të këtij viti është vetëm fillimi.

Sipas një raporti zyrtar të Inspektoratit të Punës, bordi i Radiotelevizionit të Kosovës ka vepruar në kundërshtim me dispozitat e Ligjit të Punës për ndërprerjen e kontratës së punës të Kastratit.

Vendimi i bordit, i cili ‘ka hyrë në fuqi në ditën e nënshkrimit, po del të jetë joligjor sipas IP-së.

Sipas këtij raporti, bordi i Radiotelevizionit të Kosovës është dashur të lajmërojë 60 ditë më herët Kastratin për ndërprerjen e kontratës, pasi që në kontratën e Kastratit, në nenin 8 specifikohet që kontrata mund të shkëputet 60 ditë pas paralajmërimet me shkrim nga bordi.

Kastrati ka thënë se do t’i drejtohet edhe gjykatës për problemet dhe telashet që sipas tij i janë shkaktuar nga vendimi për shkarkimin.

“Vendimi për shkarkimin ka qenë puro politik dhe i pa bazuar në argumente dhe në punë time. Raporti i sotëm është vetëm fillimi i një rruge, sepse tash e vazhdojmë në gjykatë për problemet dhe telashet që më janë shkaktuar nga vendimi i bordit për shkarkim. Stresi, presioni, sharjet në rrjetet sociale nuk ja kam pas borxh askujt e as bordit. Është qesharake dhe e pakuptimtë që në njërën anë më shkarkojnë e në anën tjetër e aprovojnë raportim tim të punës”, ka thënë ai për KALLXO.com

Bordi i RTK-së kishte shkarkuar drejtorin e përgjithshëm Ngadhnjim Kastratin në janar të këtij viti.

Në vendimin e bordit thuhet se Kastrati është shkarkuar nga pozita pasi i njëjti ka dështuar në kryerjen e punëve të tij në mënyrë efektive dhe se ai ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për RTK-në.

Arsyet pse u shkarkua drejtori i RTK-së