Kadri Veseli - Kryetar i PDK-së - 20.07.2019

Ish drejtori i QKUK-së: Kadria e Urani e kanë nisur fushatën e PDK-së nga QKUK-ja

Ish drejtori i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Jusuf Ulaj ka reaguar ndaj përdorimit të pacientëve në video promovuese nga kryetari i PDK-së, Kadri Veseli.

Sipas Ulajt, me këtë veprim Veseli dhe Ismaili kanë hyrë në fushatën zgjedhore dhe po i përdorin pacientët për qëllime elektorale.

“Kadria e Urani përmes Basri Sejdiut që tashmë haptas është futur në fushatën zgjedhore të PDK-së, ftuan pacient të sëmurë nga zemra, i mblodhën në një sallë, u fotografuan dhe i shpërndanë në publik. Shkelën kodin etik dhe parimin kryesor në mjekësi që është konfidenca”, ka shkruar Ulaj, ish kandidati i Vetëvendosjes për deputet.

KALLXO.com nuk ka arritur të kontaktoje me Basri Sejdiun për t’ia marrë një prononcim rreth deklarimeve të Ulajt.

Ai po ashtu ka bërë thirrje te shoqatat dhe organizatat që merren me të drejtat e pacientëve të reagojnë karshi këtyre veprimeve.

“U shkelën të drejtat e pacientit, u shkel e drejta elementare njerëzore, dhe u keqpërdorën njerëzit në nevojë. Ku janë oda e mjekëve, shoqatat e ndryshme për mbrojtjen e të drejtave të pacientëve, drejtave të njeriut e shumë individ e shoqata të kësaj fushe”, ka vazhduar ai.

Po ashtu edhe sipas Shoqatës për të Drejtave e Pacientëve përdorimi i pacientëve nga funksionarët shtetëror për qëllime të promovimit të punës së bërë është e papranueshme dhe e kundërligjshme, pasi shkel një mori ligjesh që e mbrojnë identitetin e pacientit.

“Përdorimi i pacientëve për çfarëdo qëllimi, aq më pak për qëllime elektorale, është i papranueshëm dhe në kundërshtim me Ligjin për të Dhënat Personale, Ligjin për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Qytetarëve në Kujdesin Shëndetësor, Kartën e të Drejtave të Pacientëve, Kodin e Etikës Mjekësore, moralin shoqëror”, thuhet në reagimin e PRAK-ut.