Ish-drejtori i Qendrës së Paraburgimit në Prishtinë sanksionohet me largim nga shërbimi civil

Ish-drejtori i Qendrës së Paraburgimit në Prishtinë, Isuf Ibërdemaj, është sanksionuar me largim nga shërbimi civil.

Masa disiplinore ndaj tij është marrë nga komisioni disiplinor i Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Sipas vendimit, të cilin e ka siguruar KALLXO.com, Ibërdemaj është përgjegjës për shkelje të rëndë disiplinore në kohën sa ishte drejtor i Qendrës së Paraburgimit në Prishtinë.

“Procedura disiplinore ka filluar në bazë të inicimit të datës 26 tetor 2021, nga zëvendësues drejtori i përgjithshëm i SHKK-së, Ali Gashi, sipas Raportit të Inspektoriatit të Ministrisë së Drejtësisë, me dyshimin se ka kryer shkelje të rëndë disiplinore”, thuhet fillimisht në vendim.

“Ibërdemaj është njoftuar me kohë për inicimin e procedurës ndaj tij, është pajisur me shkresat e lëndës lidhur me shkeljet që i ngarkohem dhe është njoftuar me të drejtat e tij për mbrojtje dhe kundërshtim të inicimit” – thuhet në vendim.

Në dhjetor të vitit 2021 Ibërdemaj ishte shkarkuar nga pozita e drejtorit të Qendrës Korrektuese për të Mitur në Lipjan, ndërsa aktualisht mban pozitën e udhëheqësit të Njësisë për transportimin e të burgosurve në Dubravë.