Paris, Foto: Unsplash

Ish-drejtori i muzeut në Paris nën hetim për trafik artefaktesh

Ish-drejtori i muzeut të Luvrit në Paris po hetohet nga autoritetet franceze nën dyshimin e trafikut të veprave antike.

Policia dhe prokuroria në kryeqytetin francez akuzon Jean Luc Martinez për “bashkëpunim në krim të organizuar” dhe “pastrim parash”.

Zyra e prokurorit bëri të ditur se dy ish-kolegë të Martinez në departamentin e antikitetit egjiptian të muzeut të famshëm u arrestuan më herët gjatë javës, por u liruan më vonë pa akuza.

Megjithatë, hetuesit refuzuan të komentonin raportimet e mediave franceze se tre personat dyshohen për pjesëmarrje në trafikimin e objekteve të trashëgimisë kulturore me vlerë të lartë.

Sipas burimeve mediatike, hetuesit po shqyrtojnë nëse ish-drejtori Martinez “mbylli sytë” përpara falsifikimit të certifikatave mbi prejardhjen e 5 objekteve antike egjiptiane.

Mes objekteve të trafikuara është edhe një pllakë graniti me shkrime antike e shitur në 2016-n, kur dega e Luvrit në Abu Dhabi bleu një seri artefaktesh egjiptiane për dhjetëra miliona euro.

Martinez braktisi detyrën e drejtorit të Luvrit vitin e kaluar, post që e mbante që prej 2013-s. Aktualisht ai mban postin e ambasadorit për bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e trashëgimisë kulturore./Euronews