Ish-drejtori i KOSTT: Kosova rrezikon furnizimin me energji nëse nuk paguhet rryma në veri

Ish-drejtori i KOSTT-it, Ilir Shala, ka deklaruar se Kosova rrezikon furnizimin me energji nga tregjet ndërkombëtare nëse nuk paguhet rryma në veri.

Në emisionin ‘Kallxo Përnime’, Shala tha se sipas marrëveshjes që Kosova ka nënshkruar me ENTSO-E (Rrjeti Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmetimit), nuk ka mundësi që të hyjë në borxh.

“Në krahasim me vlerat e tanishme që janë duke u shpenzuar për mbulimin e konsumit në pjesën veriore, marrëveshja e thotë qartë, asnjë devijim të rrjetit të evropian nuk duhet ndodhë. Pasojat janë të pariparueshme, nëse ne tërheqim energji të paautorizuar prej rrjetit ndërkombëtar. Pasojat janë të dëmshme për Kosovën dhe nuk do të kemi rrymë. Ky është skenari më i keq që mundet me ndodhë” – ka thënë Shala.

Tutje, ai tha se në kohën e Qeverisë Haradinaj në vitin 2018, kur borxhi ishte rreth 1 milion euro, Kosova është ‘kërcënuar’ me shkyqje nga rrjeti ndërkombëtar.

“Për këtë, në kohën e Qeverisë Haradinaj kemi kërkuar 1 milion euro për ta mbulur konsumin në veri, për pjesën veriore të Kosovës, për mars 2018. Ishim të rrezikuar me shkyqje nga rrjeti ndërkombëtar, që do të kishte pasoja për gjithë qytetarët e Kosovës” – ka thënë Shala.

“Gjeneratorët ekzistues në Kosovë nuk janë të dizajnuar të mbeten me frekuencë të veten, frekuencën në kuptimin operativ e marrin prej zonës së Evropës Juglindore. Dhe duhet ishte Kosova në terr, nëse do të ishte shkyqur linja 400 voltë, Mali i Zi, Serbi e Maqedoni” – tha Shala.