Ish-drejtori menaxhues i KEK-ut, Arben Gjukaj

Ish-drejtori i KEK-ut flet pas aktakuzës së ngritur për faljen e hidrocentraleve

Prokuroria Speciale sot ka ngritur aktakuzë ndaj ish-ministrave të “Qeverisë Thaçi 2”, Besim Beqaj, Mimoza Kusari, Dardan Gashi, Nenad Rashiq, ndaj ish-drejtorit të KEK-ut, Arben Gjuka, dhe 14 personave të tjerë për faljen e disa hidrocentraleve.

Ish-drejtori i KEK-ut, Arben Gjuka, i kontaktuar nga  KALLXO.com nuk ka komentuar ngritjen e kësaj aktakuze.

Ai, madje, tha se nuk është i informuar.

“S’kam koment për asnjë gjë. Madje edhe tash po e marr vesh se s’kam informatë për këtë. S’kam çfarë të shtoj”, ka thënë Gjuka për KALLXO.com.

Aktakuza është ngritur për faljen e katër hidrocentraleve gjatë privatizimit të rrjetit të distribuimit të KEK-ut proces ky i zhvilluar gjatë ‘Qeverisë Thaçi 2’.  Katër hidrocentrale ishin përfshirë në shitje të distribucionit pa qenë pjesë e kësaj shitjeje.

Aktakuzë për ish-ministrat e ‘Qeverisë Thaçi 2’ për faljen e Hidrocentraleve

Më parë ishte raportuar se hidrocentralet ishin pjesë e listës së aseteve, mirëpo ishin shkruar vetëm pjesët përbërëse të hidrocentraleve. Gazeta Jeta në Kosovë e ka analizuar listën e aseteve, vetëm te pjesa e hidrocentraleve.

Në listën e gjatë të aseteve janë futur edhe pjesët përbërëse të hidrocentraleve. Në tërë listën e gjatë të aseteve vetëm në një vend shkruan “HCV”, që është akronim për “Hidrocentralet e Vogla”. Në asnjë vend tjetër të kësaj liste nuk figuron fjala hidrocentral.