Ish-drejtori i CIA-s: ShBA do të veprojë, nëse Moska përdor armë bërthamore

SHBA dhe aleatët e saj do t’i shkatërrojnë trupat dhe pajisjet e Rusisë në Ukrainë dhe do ta fundosin flotën e saj të Detit të Zi nëse presidenti rus Vladimir Putin përdor armë bërthamore, tha të dielën ish-drejtori i CIA-s dhe gjenerali i ushtrisë në pension, David Petraeus.

Petreaus tha se nuk ka folur me këshilltarin e sigurisë kombëtare Jake Sullivan për reagimin e mundshëm të SHBA-së, por ai i tha ABC News se beson se një sulm bërthamor nga Rusia në Ukrainë do të shkaktonte një përgjigje të NATO-s të udhëhequr nga SHBA.

Volodymyr Zelenskiy konfirmoi se Ukraina i ka “pastruar plotësisht” forcat ruse nga qyteti kyç lindor i Luman, një ditë pasi Moska pranoi se trupat e saj ishin tërhequr pasi ishin rrethuar. Në një videoklip të shkurtër në llogarinë e tij në Telegram, presidenti i Ukrainës i falënderoi trupat ukrainase në shërbim për çlirimin e Lumanit.

Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar e ka përshkruar qytetin e Luman si strategjikisht vendimtar, për shkak të “kalimit të tij kryesor rrugor mbi lumin Siversky Donets, pas të cilit Rusia është përpjekur ta konsolidojë mbrojtjen e saj”.

Kryeministri i Ukrainës, Denys Smyhal, thotë se 900 mësues ukrainas kanë dalë vullnetarë për t’u bashkuar me Forcat e Armatosura të Ukrainës për të luftuar kundër pushtimit të Rusisë që nga 24 shkurti. “Ky është një shembull i shkëlqyer për t’i shërbyer popullit tuaj” – tha ai.

Forcat ukrainase rrëzuan tetë dronë kamikaze të prodhuar nga Irani të dielën, sipas Kyiv Independent. Sipas Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës, forcat ajrore të Ukrainës kryen gjithashtu katër sulme duke goditur dy rezerva armësh ruse, si dhe dy sisteme raketore anti-ajrore.

Sekretari amerikan i mbrojtjes, Lloyd Austin, ka thënë se beson se Ukraina po “shënon progres” në luftë. Në një intervistë për CNN që u transmetua të dielën, Austin ia atribuon ndryshimin e valës së luftës kalibrit të ushtarëve ukrainas dhe përdorimit të tyre të armëve të ofruara atyre nga SHBA dhe vendet e NATO-s.

Nëntë vendet evropiane që lëshuan një deklaratë më herët për ta dënuar aneksimin e territoreve ukrainase nga Rusia, të gjitha sinjalizonin mbështetjen e tyre për anëtarësimin e Ukrainës në NATO.

Republika Çeke, Estonia, Letonia, Lituania, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Polonia, Rumania dhe Sllovakia po mbështesnin anëtarësimin e Ukrainës në NATO në deklaratën e tyre të përbashkët.

Associated Press ka gjetur prova të 10 lokacioneve të torturës në qytetin e Izium, pas tërheqjes së Rusisë. “AP foli me 15 të mbijetuar të torturës ruse në rajonin e Kharkiv-it, si dhe me dy familje, të dashurit e të cilëve u zhdukën në duart e Rusisë”- raportoi AP.

Gjykata Kushtetuese e Rusisë e ka njohur si të ligjshëm aneksimin e katër territoreve kryesore të Ukrainës. Gjykata ka vulosur në mënyrë efektive marrëveshjet e aneksimit të nënshkruara nga Vladimir Putin me liderët e rajoneve të mbështetura nga Moska.

Gjermania, Danimarka dhe Norvegjia kanë porositur një grumbull armësh me rreze të gjatë që do të ndërtohen për Ukrainën. Furnizimi i 16 obuseve sllovake Zuzana-2, e sapo njoftuar nga ministria gjermane e mbrojtjes, do të fillojë vitin e ardhshëm.

Rrjedhjet e gazit në tubacionin e dëmtuar ‘Nord Stream 1’ tani janë ndalur. Kjo vjen pas njoftimit të së shtunës se gazi nuk po rrjedh më nga Nord Stream 2. Agjencia e Energjisë e Danimarkës tha të dielën se ishte informuar nga Nord Stream AG se ishte arritur presion i qëndrueshëm në tubacionin e dëmtuar Nord Stream 1 dhe se kjo tregon derdhja e gazit natyror nga rrjedhjet e fundit tani është ndalur, raporton Reuters./The Guardian