Ish drejtori i ATK-së dhe zëvendës drejtori i përgjithshëm ftohen të dëshmojnë në gjykimin për korrupsion

Ish drejtori i ATK-së Behxhet Haliti dhe zëvendës drejtori i përgjithshëm i këtij institucioni Nahit Sharku janë ftuar që të dëshmojnë në gjykimin për korrupsion.

Ata janë ftuar që të dëshmojnë në rastin e ish kolegut të tyre Safet Krasniqit, i cili po akuzohet se që nga viti 2013 e deri në vitin 2019 e ka keqpërdorur detyrën e tij dhe iu ka mundësuar bizneseve që të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme.

Përpos tyre për të dëshmuar në këtë proces janë ftuar edhe inspektoret hetues të cilët janë marrë me hetimin e bizneseve të përfshira në transaksionet fiktive.

Sipas Prokurorisë Speciale, ish shefi i hetimeve në ATK, Safet Krasniqi edhe pse ka qenë në dijeni se shumë biznese po u shmangeshin tatimeve duke u përfshirë në transaksione dhe fatura fiktive nuk kishte ndërmarrë veprime të kontrolleve, vizitave dhe nuk ka iniciuar procedura penale ndaj atyre bizneseve.

Madje sipas prokurorisë ai u kishte mundësuar këtyre bizneseve që të bëjnë korrigjimin e deklarimeve tatimore edhe pse ka qenë në dijeni se një veprim i tillë ishte i kundërligjshëm.

Dëmi të cilin Krasniqi akuzohet t`i ketë shkaktuar ATK-së është mbi 883 mijë euro.

Në lidhje me këto akuza, Safet Krasniqi ishte deklaruar i pafajshëm para gjykatës.

Ky rast ishte shfaqur fillimisht në emisionin “Jeta në Kosovë”, në të cilin ishin paraqitur një seri hulumtimesh rreth vjedhjes së organizuar tatimore.

Rasti ishte zbuluar pasi Murat Mehmeti, zyrtar hetues në ATK, kishte rrëfyer se si kanë arritur disa biznese të udhëhequra nga një kontabilist t’u ikin pagesave tatimore duke i shkaktuar buxhetit të Kosovës dëme në vlerë të miliona eurove.

Pas këtij zbulimi Murat Mehmeti është përballur me presione dhe transfere në punën e tij – LINK