Foto: KALLXO.com

Ish-drejtori i Administratës së Prizrenit, Nijazi Kryeziu, edhe në rigjykim deklarohet i pafajshëm

Një vit pas vendimit lirues për të, ish-drejtori i Administratës së Komunës së Prizrenit, Nijazi Kryeziu, është ulur sërish në bankën e të akuzuarve për t’u përballur me akuzën e Prokurorisë.

Kryeziu gjykohet se ka lidhur kontrata pa tender me televizionet lokale në kohën sa punonte në këtë Komunë.

Në shtatorin e vitit të kaluar ai u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Prizrenit.

Por, pas ankesës së Prokurorisë, Gjykata e Apelit e kthyer në rigjykim rastin e ish-drejtorit Kryeziu.

Të martën, pas leximit të aktakuzës, Nijazi Kryeziu u deklarua sërish i pafajshëm.

Gjykimi më tej vazhdoi me fjalën hyrëse për çka palët qëndruan si në  deklaratat e dhëna më herët.

Në vijim të gjykimit, përfaqësuesi i Prokurorisë, Mehdi Sefa, ka propozuar që të dëgjohet eksperti financiar, Agim Sheqiri.

Por, ky propozim u kundërshtua nga ana e përfaqësuesit të Komunës, Blerim Mazreku dhe Kujtim Kërveshit, avokat i të akuzuarit.

Sipas avokatëve Kërveshi dhe Mazreku dëgjimi i ekspertit është në kundërshtim me vërejtjet e Gjykatës së shkallës së dytë.

Seanca e sotme u ndërpre. Ajo e radhës u caktua për më 30 shtator 2022.

Nijazi Kryeziu akuzohet  për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar kur ishte drejtor i Urbanizmit në Prizren nën udhëheqjen e ish-kryetarit Ramadan Muja.

Prokuroria Kryeziun e ka akuzuar se pa hapur ndonjë procedurë tenderuese ka lidhur kontratë me “TV Opinion” për emetimin e spoteve reklamuese për sensibilizimin e opinionit publik për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje për nevojat e Drejtorisë së Urbanizmit me të cilën ka udhëhequr.

Dëmi i shkaktuar me lidhjen e kësaj kontrate cilësohet të jetë në total prej 7 mijë e 200 euro, për periudhën 1 janar deri më 31 dhjetor të vitit 2015, në vlerë prej 600 euro në muaj.

Për të gjitha këto akuza, Kryeziu ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Prizrenit në shtatorin e vitit 2021, por Gjykata e Apelit çështjen e ka kthyer në rigjykim.

Apeli vendos për rastin e ish-drejtorit të Urbanizmit në Prizren, Nijazi Kryeziu

“Konkludimi i gjykatës së shkallës së parë se i akuzuari nuk ka kryer vepër penale nuk mund të provohet si i drejtë i ligjshëm, kështu që aktgjykimi i ankimuar të anulohet dhe çështja t’i kthehet gjykatës së shkallës së parë për rivendosje”, thuhet në vendimin e Apelit.

Apeli mes tjerash ka gjetur se arsyetimi përveç që është bazuar në prova të papranueshme, gjykata e shkallës së parë provën për të cilën ka vendosur të shpallë të papranueshme e ka refuzuar të nxjerr provë tjetër.

“Edhe pse ekspertizën financiare e ka shpallur provë të papranueshme, gjykata nuk vendosi që të procedojë me provën përmes ekspertizës tjetër, por, përkundrazi e refuzon propozimin e prokurorit ndërsa në arsyetim nuk thuhet asgjë lidhur me këtë refuzim”, thuhet në vendim.

Raportet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i gjeni në këtë LINK.