Brikenë Ramabaja dhe Qëndron Kastrat

Ish-drejtoresha e PSD-së në Kamenicë punësohet në NPB

Me përfundimin e mandatit të drejtoreshës për Administratë të Përgjithshme në Komunën e Kamenicës, Brikenë Ramabaja është punësuar në Ndërmarrjen Publike Banesore (NPB) në kryeqytet.

Brikenë Ramabaja është përzgjedhur kandidatja e sukeseshme për pozitën e udhëheqjes së divizionit të burimeve njerëzore, përmes një konkursi të shpallur më 17 dhjetor 2021. Në bazë të rezultateve të publikuar më 18 shkurt 2022, Ramabaja është poentuar me 72.5 pikë gjithsej.

Brikenë Ramabaja ka qenë pjesë e qeverisjes së Qëndron Kastratit, nënkryetarit të Partisë Socialdemokratike (PSD) në Komunën e Kamenicës. Kjo parti humbi zgjedhjet lokale të vitit 2021-es, rrjedhimisht kishte përfunduar edhe mandati i Ramabajës.

Menaxhmenti i NPB-së është zgjedhur në kohën e kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, ish-kryetar i PSD-së.

Aksionarë të NPB-së kanë qenë Dren Kukaj, ish-drejtor i mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës, njëkohësisht anëtar i PSD-së dhe Genc Sherifi, asamblisti i PSD-së. Poashtu aksionar ka qenë dhe Vesel Makoli asamblist nga AKR-ja. Mandati i tyre ka përfunduar me mbarimin e mandatit të kryetarit të komunës.

Sepse në bazë të nenit 5 të Ligjit për Ndërmarrje Publike, kur një komunë është aksionar në një NP Lokale, të drejtat e saj të aksionarit do të ushtrohet nga një Komision Komunal i Aksionarëve, i cili përbëhet nga një anëtar i emëruar nga kryetari i Komunës dhe dy anëtarë të tjerë të emëruar nga Kuvendi Komunal.

E kontaktuar nga KALLXO.com, Ramabaja thotë se rezultati dhe përvoja e gjatë e kanë ndihmuar në këtë proces të konkurrimit, duke shtuar se nuk ka pasur asnjë ndikim politik në përzgjedhjen e saj.

“Unë kam aplikuar në konkursin e publikuar nga Ndërmarrja Publike Banesore për pozitën Udhëheqëse e Divizionit Të burimeve Njerëzore si çdo qytetar tjetër meqë konkursi ka qenë i hapur për të gjithë të interesuarit që i plotësojnë kriteret për këtë pozitë”, ka thënë ajo.

Ramabaja ndonëse ka qenë pjesë e kabinetit politik të Kastratit, thotë se s’ka qenë asnjëherë pjesë dhe anëtare e PSD-së.

Në anën tjetër, kryeshefit ekzekutiv të NPB-së, Hajdar Hoxhaj thotë që të gjithë personat, edhe të ekspozuarit politikisht kanë të drejtë të aplikojnë dhe t’i nënshtrohen procedurave të konkursit përkatës.

“Konkurset janë publike, është udhëzimi administrativ 07/2017 që respektohet në pikëmëri, është komisioni përkatës, dhe është përtej kompetencave të kryeshefit, përveç monitorimit të procesit që kënd e përzgjedhin. Komisioni është organ i pavarur, duhet të ndjek të gjitha procedurat e konkursit dhe vendos bazuar në renditjen e pikëve në personin që kualifikohet apo që merr pikë maksimale në test dhe në intervistë. I ekspozuar apo jo politikisht, në pozitat përkatëse kanë të drejtë që të aplikojnë të gjithë dhe t’ nënshtrojnë konkursit komplet”, u përgjigj ai në pyetjen e KALLXO.com teksa mbajti një konferencë për media më 25 shkurt 2022.

Ai thotë se nëse ka informacione të shkelje të mundshme të procedurave, personalisht ai do t’i mbikëqyrë trajtimin e ankesave nga ana e komisionit.

“Është mundësia e ankesave, të gjithë palët që mendojnë së është e padrejtë mund të bëjnë ankesë, trajtohet ankesa, ka edhe organe më lartë që mund të trajtohet ankesa, por nuk mund të diskriminojmë në start një person që potencialisht ka pasur një të kaluar politike t’i ndalohet aplikimi”, ishte deklaruar kryeshefi Hoxha.

Ai ka ftuar të gjithë kandidatët e tjerë, që në rast se kanë ankesa t’i drejtohet organeve.

KALLXO.com kishte raportuar më 4 dhjetor 2021 hulumtimin që tregonte “fuqinë” që kanë aksionarët në NPB.

Rasti në fjalë tregonte se si aksionarët kishin shkarkuar bordin e drejtorëve pasi këta të fundit kishin në plan që ta shkarkonin kryeshefin. Kësisoj, vendimi i aksionarëve shpëtoi Hajdar Hoxhajn nga shkarkimi.

Ana e errët e projektit të ndërtimeve të Ndërmarrjes së Prishtinës