Gjykimi i ish-doganierëve për marrje ryshfeti

Ish-doganierët dënohen për marrje ryshfeti

Dy ish-zyrtarë të Doganës së Kosovës janë dënuar nga gjykata për marrje ryshfeti prej 450 eurosh.

Dje, Gjykata e Prishtinës ka marrë vendim lidhur me dy ish-doganierët e akuzuar për marrje ryshfeti dhe tre të akuzuarit për dhënie ryshfeti në të njëjtin rast.

A. K., ish-zyrtar doganor u dënua  me 6 muaj burgim me kusht dhe dënim me gjobë në shumë prej 4 mijë euro.

B. P., gjithashtu në cilësinë e ish zyrtarit doganor për marrje ryshfeti u dënua me 6 muaj burgim me kusht dhe 4 mijë euro gjobë.

Të njëjtëve i’u shqiptua edhe dënimi plotësues ndalimi i ushtrimit të profesionit në kohëzgjatje prej 1 viti pas ekzekutimit të dënimit.

L. B., i cili filimisht akuzohej për keqpërdorim të detyrës zyrtare, gjatë gjykimit iu ricilësua vepra në dhënie ryshfeti.

Për veprën e fudnit ai u dënua me gjobë në shumë prej 4 mijë euro.

Të akuzuarit H. L. për dhënie ryshfeti i’u shqiptua dënimi me gjobë në shumë prej 4 mijë euro.

Ndërsa I. L. i akuzuar për dhënje ryshfeti u lirua nga akuza.

Gjithashtu, gjykata vendosi se nëse të akuzuarit nuk paguajnë dënimin me gjobë brenda 15 ditëve pasi vendimi ta marrë formën e prerë, dënimi me gjobë do të zëvendësohet me dënim me burgim ku 20 euro gjobë do të llogariten me 1 ditë burgim.

Të akuzuarit ndaj këtij dënimi kanë të drejtë apelimi në afat prej 15 ditësh pasi t`u dorëzohet verdikti.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit A. K. dhe B. P. në nëntor të vitit 2015 kërkojnë dhe marrin shumën prej 450 euro si ryshfet nga I. L., i cili ishte dërguar nga H. L.

Ky ryshfet, sipas Prokurorisë, ishte dhënë në mënyrë që malli të mos ekzaminohej sipas parametrave që i parasheh Dogana e Kosovës. Kjo pasi që Dogana e Kosovës kishte vërejtur gjatë ekzaminimit të mallit të H. L., i cili ishte sjellë për t’u zhdoganuar, se në kamion nuk kishte vetëm mall të vjetër, siç kishte deklaruar H. L., por edhe mall të ri.

Ndërsa L. B., pronar i firmës “Euro Joni Kosova”, kishte biseduar vazhdimisht me B. P. dhe H. L. duke e bindur atë që t’i japë ryshfetin prej 450 euro zyrtarëve doganorë me qëllim që malli të zhdoganohet.

Në seancat e kaluara, të akuzuarit kishin dhënë mbrojtjen duke mos pranuar akuzat që i vihen në barrë.

Ish-doganierët dalin para gjyqit për marrje ryshfeti

 

(Shënim nga Redaksia e KALLXO.com – Të akuzuarit janë shpallur ta pafajshëm me aktgjykim të formës së prerë, prandaj emrat e të akuzuarve janë kthyer në iniciale me kërkesën e tyre, pasi Kallxo ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet ligjore për një kërkesë të tillë. Koha e editimit të shkrimit 10:49 – 28.12.2023).