Ilustrim

Ish-deputeti i PDK-së kërcënon drejtorin e Ibër-Lepencit

Liridon Zogiani, drejtor i Bordit të Ndërmarrjes Publike ‘Ibër-Lepenc’, ka thënë që është kërcënuar nga ish-deputeti Hajdar Beqa pas kërkesës për auditim të Departamentit të burimeve njerëzore, Departament në të cilin menaxhere është gruaja e ish-deputetit, Qëndresa Veliu- Beqa.

“Unë në Bordin e Ndërmarrjes Publike të “Ibër-Lepencit” përveç drejtor i Bordit kam qenë edhe kryesues i Bordit të auditimit. Në kuadër të kompetencave të mia kam kërkuar që të hetohen edhe disa resore brenda ndërmarrjes publike, një ndër to ka qenë edhe burimet njerëzore, ku menaxhere kryesore është gruaja e ish-deputetit Hajdar Beqa”, tha ai.

Zogiani ka thënë për KALLXO.com se menjëherë pas parashtrimit të kësaj kërkese ish-ministri Valdrin Lluka e ka shkarkuar nga posti i kryesuesit të komisionit të auditimit.

“Pas kërkesës ligjore që kam parashtruar për t`u hetuar ky repart ka ardhur një vendim prej ministrit, ditën e premte me datë 31.01.2020 ku unë shkarkohem prej kryesuesit të Komisionit të Auditimit. Ky vendim është arbitrarë, i dhunshëm dhe është i ndikuar pikërisht për shkak të këtyre njerëzve të Hajdar Beqës. Në bazë të informacioneve që unë posedoj vendimi është lëshuar të hënën, pasi është formuar qeveria e re, e kanë vendos datën e ditës së premte”, tha tutje ai.

Zogiani ka thënë që dje ka marrë një mesazh kërcënues nga vet Beqa, i cili i ka thënë që të mos merret me familjen e tij.

“Unë kam paraqitur ankesë tek, ministrja e re Rozeta Hajdari, dhe duke e parë vendosshmërinë time për hetim të këtij departamenti, kam marrë një telefonatë nga ish-deputeti Hadar Beqa i cili më ka kërcënuar se në rast se merrem me të edhe familjen e tij ‘do t`i sqarojmë hesapet privatisht’”, tha ai.

Zogiani për KALLXO.com ka treguar se rastin e ka raportuar në Policinë e Kosovës dhe në departamentin e krimeve të rënda dhe të krimeve ekonomike për pengim në detyrë zyrtare dhe kërcënim.

KALLXO.com ka pyetur edhe policinë në lidhje me rastin.

Zyra për Informim e Policisë në Prishtinë e ka konfirmuar rastin duke thënë se është iniciuar si kanosje, ndërsa njësitet policore janë duke u marrë me të.

KALLXO.com ka kërkuar të marrë një përgjigje nga ish-deputeti i PDK-së Hajdar Beqa, mirëpo i njëjti ka qenë i paqasshëm.

Hajdar Beqa – PDK

Në korrik të vitit të kaluar Qeveria e Kosovës e ka larguar në mënyrë të dyshimtë dhe pa asnjë sqarim Naim Gashin nga Bordi i Ibër-Lepencit të emëruar një javë më parë për t’ia liruar vendin djalit të kandidatit të PDK-së për kryetar të Komunës së Fushë Kosovës.

Gashi është zëvendësuar me Liridon Zogianin që është djali i Adem Zogianit, i cili ka qenë kandidat për kryetar të Komunës së Fushë Kosovës nga PDK-ja.