Eqrem Kryeziu: Fotografi e marrë nga Facebook-u

Ish-deputeti i LDK-së, Eqrem Kryeziu e quan shërim fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje

Ish-deputeti dhe veprimtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Eqrem Kryeziu po e cilëson si shërim nga kontaminimi fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e fundit.

Kryeziu në një shkrim në Facebook ka shkruar se në rezultatet e këtyre zgjedhjeve ka parë një reagim të gjerë të votuesve për ndryshim.

Ai duke uruar 13 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës e ka cilësuar këtë përvjetor “kthesë të fortë dhe të mbarë”.

“Asnjëherë nuk u pa një reagim aq i gjerë i votuesve për ndryshim. Para nja dy vjetësh shkrova një koment  ku ankohesha pa ngushëllim se edhe rrjeti i organizimit partiak është kontaminuar i tëri. Nuk më shkonte mendja si mund të shërohej. Ja, pra!” ka shkruar Kryeziu.

Ai ka shkruar se ata që kishin qenë  në krye të shtetit nuk ishin njerëz që zgjidhin probleme por që shtojnë.

“Nuk ka njeri, sado modest nga fiqiri, që të mos e ketë parë, madje që nga fillimi, se erdhën në krye njerëz që nuk ishin të interesuar të zgjidhnin probleme, por si të shmangeshin e si të shtoheshin. Ishte një turp e faqe e zezë. Lërini të qetë në ligësinë e tyre! Përpara, Kosovë! Urime!” ka uruar ai.

Kujtojmë se në zgjedhjet e 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje doli e para sipas rezultateve nga votat e numëruara deri më tani, pa përfshirë votat e diasporës dhe ato me kusht.