Haxhi Shala - Foto: Facebook

Ish-deputeti Haxhi Shala thotë se nuk është në dijeni për ngritje të aktakuzës për vjedhje të votave

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj shtatë personave për shkak të dyshimit për falsifikim të rezultateve të votimit në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 14 shkurt 2021.

Në mesin e të akuzuarve është edhe Haxhi Shala, ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

KALLXO.com ka kontaktuar ish-deputetin Shala dhe i njëjti ka thënë se nuk është në dijeni për ngritje të aktakuzës.

“Vallahi send nuk di, veç me të rrejt. Jo sen nuk di. Bash u çudita. Si të kam njoftim ju them”- është shprehur Shala për KALLXO.com.

“H. Sh., ish deputet i Kuvendit të Kosovës gjatë legjislaturës së vitit 2019 nga radhët e subjektit politik Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK),  të pandehurve S. M., A. K., I. H., G. H., dhe D. G. që të gjithë zyrtarë të Qendrës për Numërimin e Rezultateve të KQZ-së dhe të pandehurit P. P.”- thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sipas njoftimit, hetimet kanë vërtetuar se të pandehurit, kundërligjshëm ia kanë shtuar 65 vota kandidates për deputete Meliza Haradinaj – Stublla nga radhët e AAK-së, kurse kandidatit Haxhi Shala ia kanë shtuar 3 vota.

Në njoftim thuhet se hetimet nuk arritën të sigurojnë prova të mjaftueshme për të vërtetuar dyshimin se ish-deputetja Haradinaj – Stublla ishte e përfshirë në kryerjen e veprës penale.

Aktakuzë ndaj ish deputetit Haxhi Shala për vjedhje të votave në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021