Foto: Stefan Schwarz/ Facebook

Ish-deputeti gjerman dhe bashkëshorti i Gërvalla-Schwarz reagon pas akuzave ndaj ministres

Stefan Schwarz, bashkëshort i ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka reaguar pas akuzave ndaj ministres, veçanërisht nga partia opozitare Partia Demokratike e Kosovës (PDK), që e quajtën Gërvallën “përfaqësuese të Serbisë në Kosovë”.

Duke mos përmendur emra partish, ish-deputeti gjerman i partisë CDU, Stefan Schwarz në një publikim të gjatë në Facebook, ka vlerësuar lart veprën e ish-veprimtarit Jusuf Gërvalla.

Ai ka shtuar se është krenar me të arriturat për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, si edhe me gruan e tij, ministren Donika Gërvalla – Schwarz.

“Jam me fat sepse kam shansin të njoh dhe të dua dikë që ka marrë trashëgiminë e babait të saj në shkopin e kombit të tyre krenar. Dikush që po mbart trashëgiminë e tij, përsëri me krenari, guxim, mirësi, me një mendje të ndritur, një zemër të madhe dhe përsëri pa ndonjë frikë nga askush dhe asgjë”, ka shtuar ai.

Ish-deputeti gjerman ka lartësuar edhe luftën dhe kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për lirinë e Kosovës.

“Pa luftën e guximshme të kaq shumë luftëtarëve trima në FARK dhe UÇK – prej të cilëve unë njoh shumë dhe të cilët i vlerësoj me respektin më të lartë – dhe gjithashtu pa kontributin tonë, si miq në momentin më të madh, Kosova nuk do të mund të shpëtohej”, ka thënë ai.

Schwarz ka bërë apel që të ndalohen ata që duan ta mbajnë Kosovën dhe qytetarët, “në një kafaz korrupsioni dhe krimi”.

Sipas tij, të gjithë ata që janë përgjegjës për krimet, të cilët nuk i sollën nder por mjerim kombit, duhet të përballen me drejtësinë më në fund.

“Kjo është ajo që bën një shtet i së drejtës, kjo është ajo që bën një vend evropian. Le të mos humbasim kohë me ata që duan ta bllokojnë Kosovën dhe ta mbyllin atë në të kaluarën. Le t’i lëmë ata që janë simbole të krimit dhe korrupsionit. Bëni që ata thjesht të ndëshkohen për shkeljen e tyre të ligjit. Le të marrim luftën e vërtetë, kundër nacionalizmit serb dhe agresionit të vazhdueshëm kundër Kosovës dhe fqinjëve të tjerë në rajon”, thuhet në publikimin e tij.

Duke kujtuar ish-veprimtarin kosovar Jusuf Gërvalla, Schwarz ka deklaruar se ajo për të cilën ai luftoi dhe vdiq, u bë historia evropiane, Kosova Republikë.

“Unë kurrë nuk kam pasur rastin të takoj vjehrrin tim. Sa do të më pëlqente të flisja me të, për kaq shumë gjëra. Unë kurrë nuk mund të flisja me të për historinë, kulturën dhe artin shqiptar dhe se çfarë do të thotë kontributi i shqiptarëve për kontinentin tonë, sa i vlefshëm është kontributi shqiptar për të gjithë ne në Evropë. Por unë jam një djalë me fat”, ka shkruar mes tjerash ai.

“Jam me fat sepse kam shansin të njoh dhe të dua dikë që ka marrë trashëgiminë e babait të saj në shkopin e kombit të tyre krenar.

Dikush që po mbart trashëgiminë e tij, përsëri me krenari, guxim, mirësi, me një mendje të ndritur, një zemër të madhe dhe përsëri pa ndonjë frikë nga askush dhe asgjë”, ka shtuar ai.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës javën e kaluar, u krijuan tensione mes deputetëve të PDK-së dhe ministrave, pasi deputeti PDK-së, Abelard Tahiri e quajti ministren Gërvalla “përfaqësuese të Serbisë në Kosovë”, duke shtuar se s’mund t’ia përmend as mbiemrin Gërvalla.

Akuzat ndaj saj u bënë në lidhje me një deklaratë që Gërvalla e ka pasur më herët rreth Gjykatës Speciale, dhe ish-krerëve të PDK-së, Hashim Thaçi e Kadri Veseli, të cilët i kishte quajtur njerëz të krimit.

Tensione në Kuvend, opozita lëshon sallën