
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Ish-burri dyshohet se e goditi me veturë, viktima përfundon në QKUK
Një grua ka pësuar lëndime trupore më 17.02.2025, pasi dyshohet se është goditur me veturë nga ish-bashkëshorti i saj.
Sipas Policisë, i dyshuari Sh. R. 31 vjeç, duke drejtuar automjetin e tij, kishte ndjekur viktimën (ish-bashkëshorten), e cila po ashtu ishte me veturë.
“Kur kanë arritur në Ferizaj, te Sheshi “Adem Jashari”, i dyshuari e ka goditur automjetin e viktimës, ndërsa të dy ishin në lëvizje. Si pasojë, viktima ka pësuar lëndime trupore”- thuhet në njoftim.
Sipas Policisë, pas tretmanit mjekësor fillestar në Ferizaj ajo është dërguar për trajtim të mëtejshëm në QKUK – Prishtinë.
Tutje thuhet se për pasojë, në të dy automjetet janë shkaktuar dëme materiale, ndërsa, hetuesit dhe krimteknikët kanë dalë në vendin e ngjarjes për ekzaminimin e automjeteve dhe ato janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Lidhur me rastin, është kontaktuar prokurori kujdestar, i cili ka udhëzuar që rasti të cilësohet si “Lëndim i rëndë trupor” dhe “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”.
Sipas Policisë, pas intervistimit, me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa ndihmë mjekësore ju ka ofruar edhe të dyshuarit.