Ish-asamblisti i PDK-së emërohet drejtor në ‘Trepçë’

Ish-asamblisti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nexhat Dedia, sot është emëruar udhëheqës i njësisë biznesore në Stan Tërg.

Dedia ishte dënuar nga shkalla e parë e Gjykatës për sulm fizik ndaj gazetarit, Gazmend Morina.

Lajmin për emërimin e tij e konfirmoi për KALLXO.com kryesuesi i Bordit të Përkohshëm Mbikëqyrës në “Trepçë”, Sylejman Hyseni.

Ai tha se Nexhat Dedia është vetëm ushtrues detyre, ndërsa tha se ka qenë vlerësim i Bordit të emërojë njerëz të rinj në menaxhment.

“Udhëheqës në njësinë biznesore në Stan Tërg është emëruar Nexhat Dedia në vend të Xhafer Pecit i cili është shkarkuar”, deklaroi ai.

I pyetur për të kaluarën politike të Nexhat Dedia si ish-asamblisti i PDK-së në Komunën e Mitrovicës, Hyseni tha se nuk ka qenë në dijeni për atë gjë.

“Me të tregu të drejtën me këtë pjesë nuk jam marrë unë, tani më treguan. Por, ju them që e kemi një gjendje shumë të rëndë Trepçën, i kemi kërkuar personat që munden me menaxhu me situatën më mirë. Bordi e ka pa të arsyeshme me marrë masa, me kry menaxhimin më mirë që të rritet prodhimi sepse e kemi gjendjen financiare shumë keq”, tha ai.

“Unë nuk jam në asnjë parti, ju e dini, unë as që i kam pyet se a jeni në ndonjë parti. Iu kam thënë që duhet të merrni përgjegjësi, në qoftë se nuk përmirësohet gjendja, Bordi është i gatshëm me i shkarku”, deklaroi kryesuesi i Bordit të Përkohshëm të “Trepçës”, Sylejman Hyseni.

Në një bisedë për KALLXO.com, ish-asamblisti i PDK-së ka thënë se ka dhënë dorëheqje që tri vite nga partia.

“Po, jam emëruar drejtor i minierës në flotacion në Stan Tërg. Unë nuk jam pjesë e politikës, ka disa vite, kam thënë dorëheqje nga PDK, nuk i përkas asnjë partie, nuk merrem me politikë”, deklaroi Nexhat Dedia.

Ndërkohë, ai ka thënë se nuk ka përvojë pune në minierë, por vetëm në menaxhim.

“Jo, në minierë nuk kam punuar ndonjëherë por në sektorin e menaxhimit, atje e kam menaxhimin përsipër”, deklaroi ai.

Nexhat Dedia, ish-asamblist i PDK-së

KALLXO.com merr vesh se në mbledhjen e sotme të Bordit të Përkohshëm Mbikëqyrës të Trepçës është emëruar edhe u.d zëvendës kryeshefi i kësaj ndërmarrje, Rafet Ibishi. Këtë e konfirmoi edhe Sylejman Hyseni, kryesues i Bordit të Përkohshëm Mbikëqyrës në Trepçë.

Në një bisedë të shkurtër  për KALLXO.com, Ibishi tha se përvoja e tij lidhet me sigurimin e objektit dhe pasurisë së Trepçës, e jo me çështjet dhe politikat e kësaj Ndërmarrjeje Publike.

“Besoj që po, se jam menaxher i sigurimit tash e pesë vite në Trepçë, sigurimit të objektit dhe gjithë pasurisë së kombinatit, diku 200 punëtorë që e ruajnë asetin e Trepçës”, deklaroi ai.

Ai e ka mohuar se është pjesë e PDK-së, edhe pse në disa fotografi në rrjetin social Facebook shihet me ish-kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli.

Rafet Ibishi dhe Kadri Veseli, Foto: Facebook

“Jo nuk jam pjesë e PDK-së, unë jam edhe kryetar i Veteranëve të Luftës, me të gjitha subjektet publike kam raporte e foto, po nuk kam të bëj gjë me to”, deklaroi ai.

Ndërmarrja Publike “Trepça” përballet me probleme financiare që një kohë të gjatë. Së fundmi, qeveria e Kosovës ndau 1 milion euro pasi minatorët kishin mbetur pa paga.

Në një konferencë për media, shefi i qeverisë kosovare, Avdullah Hoti kishte adresuar kritika në drejtim të menaxhmentit të “Trepçës”. Jo shumë më vonë, më shumë se 100 minatorë u ngujuan në minierën e Stan Tërgut duke kërkuar që të u dilnin pagat.

Ndërsa, së fundmi, nga pozita e u.d kryeshefit dha dorëheqje Hyen Vrajolli. Në vend të tij, Bordi i Përkohshëm Mbikëqyrës emëroi Enes Muzaqin.