Ish-asamblisti i NISMA-s u punësua në Ministrinë që udhëhiqet nga kjo parti

Ish-asamblisti nga radhët e NISMA Socialdemokrate në Komunën e Malishevës është angazhuar së fundmi si këshilltar profesional për siguri në punë në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, dikaster ky që udhëhiqet nga Skender Reçica i NISMA-s.

Veton Kastrati është në mesin e tre personave që është punësuar pas thirrjes së Ministrisë për 4 ekspertë për shërbime të veçanta për konsulent individual për këshillim, hulumtim dhe shërbim në funksion të zhvillimit dhe avancimit të politikave dhe strategjisë të Agjencinë e Inspektoratit të Punës (AIP).

Procedurat për punësimin e tij janë kryer përmes kontratës në platformën elektronike “e-prokurimi”, sipas Ligjit të ri.

Sipas kontratës, çmimi total i shërbimeve konsulente duhet të jetë 5,940.00 euro, ose në baza mujore 495.00 euro. Ndërsa kohëzgjatja e kontratës së tij do të jetë 12 muaj.

Kastrati ka qenë asamblist i NISMA-s në Malishevë në përbërjen e qeverisjes së mandatit të parë të kryetarit Ragip Begaj, përkatësisht në vitet 2013-2017.

Lidhur me këtë KALLXO.com ka kontaktuar me Kastratin, i cili mohoi se NISMA ka ndikuar në punësimin e tij.

“Një konkurs të cilin e ka hap ministria e punës në bazë të ligjit të ri për kontrata të veçanta, kanë qenë 4 pozita në njërën prej pozitave kam aplikuar unë dhe jam zgjedhur, sepse nuk ka pasur as një aplikues, apo konkurrent në të njëjtën pozitë. Sinqerisht, kur është bërë vlerësimi im, nuk ka pasur as një konkurrent për atë pozitë dhe vlerësimi për mua i përzgjedhje nuk ka pas as një implikim ose intervenim i ndonjë partie politike”, u shpreh Kastrati.

Më 1 dhjetor, Ministria që udhëhiqet nga Skender Reqica i NISMA-s, nga katër eksperta që kërkoi nëpër fusha të ndryshme, vetëm tre filluan punën; një këshilltar profesional për siguri në punë, një këshilltar profesional për marrëdhënie në punë dhe një sociolog. Për këto pozita kishin aplikuar vetëm katër persona. Njëra kandidate nuk arriti të punësohet pasi nuk kishte ofruar dëshmi të nevojshme.

Vlera totale për këto tri kontrata është 22 mijë e 800 euro, ndërsa kohëzgjatja e kontratave të këtyre ekspertëve do të jetë 12 muaj.

 

Veton Kastrati dhe Fatmir Limaj, Foto Facebook

Që nga 30 qershori kur ka hyrë në fuqi Ligji për Zyrtarët Publikë, institucionet publike dhe komunat e Kosovës do të bëjnë rekrutimin e stafit për shërbime të veçanta duke u bazuar në këtë ligj.

Institucionet dhe komunat e Kosovës deri në muajin qershor punësimin e punonjësve me marrëveshje të veçanta që ndryshe njihen si kontrata mbi vepër e kanë bërë në bazë të Ligjit për Shërbimin Civil.

Por që nga fillimi i muajit korrik rekrutimi i punëtorëve për shërbime të veçanta do të bëhet duke u bazuar në nenin 84 për Marrëveshjet për shërbime të veçanta të Ligjit për Zyrtarë Publik.

Pas hyrjes në fuqi të ligji të ri, Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik ka hartuar rregullat për prokurim të shërbimeve të veçanta përmes të cilës edhe do të bëhet punësimi.

Rregullat e hartuara nga KRPP aplikohen vetëm për prokurimin e Shërbimeve të veçanta të  cilat nuk mund të sigurohen përmes procedurave të rekrutimit sipas Ligjit për Zyrtarët Publikë.

Shërbimet e veçanta të cilat nuk mund të sigurohen përmes procedurave të rekrutimit janë shërbime profesionale për të cilat Autoriteti Kontraktues ka nevojë por që nuk i plotëson kërkesat me stafin që e ka.

Ndryshe nga Ligji për Shërbimin Civil, i cili ka lejuar që punësimi me marrëveshje për shërbime të veçanta apo kontrata mbi vepër të bëhej jo më gjatë se 6 muaj, me Ligjin për Zyrtarë Publikë, kohëzgjatja e kontratave do të jetë deri në 36 muaj.

Procedura për rekrutim të stafit për shërbime të veçanta fillon me publikimin e njoftimit për kontratë në platformën elektronike, të përgatitur në përputhje me nenin 40-të të Ligjit të Prokurimit Publik dhe me ngarkimin e Dosjes së tenderit të miratuar nga KRPP.