Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ish-anëtari i PDK-së thotë se u sulmua fizikisht nga Ramiz Lladrovci, ky i fundit e mohon

Anëtari i shtabit zgjedhor të iniciativës qytetare “Demokratët për Drenasin”, Fatmir Dugolli po pretendon se është sulmuar verbalisht dhe fizikisht nga Ramiz Lladrovci, kandidat për kryetar të Komunës së Drenasit nga Partia Demokratike e Kosovës.

Dugolli në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se është kërcënuar edhe për largim nga puna. Ai është mësimdhënës në një shkollë të Drenasit.

Sipas tij, të dy palët janë takuar rastësisht në hyrjen e një restoranti në Komoran, dhe e gjitha, sipas tij, ka ndodh aty.

“Më ka sulmu verbalisht dhe më ka kërcënu, që pas zgjedhjeve ka mëm largu prej punës”, thotë ai, duke shtuar se më pas Lladrovci e ka goditur në mjekër.

“Jemi takuar rastësisht, unë kam hy në restorant, tu folë në telefon edhe ai ka fillu menjëherë të më sulmoj e ofendoj, kinse unë po e shantazhoj, po propagandoj kundër tij. Ai kishte qenë me 5-6 persona, unë kam qenë vetë, s’ka pas lidhje me fushatë”, shton ai.

Dugolli thotë se rastin e ka paraqitur edhe në Polici, pasi ekzistojnë edhe video-incizimet e restorantit. Ai thotë se edhe organet e drejtësisë janë në krah të Lladrovcit, sepse kanë vlerësuar se nuk ka prova të jetë kryer sulm fizik kundër tij.

KALLXO.com është në pritje të një përgjigje nga ana e Policisë së rajonit të Prishtinës.

Në anën tjetër, gjitha këto pretendime i ka mohuar Ramiz Lladrovci.

Lladrovci për KALLXO.com ka thënë se nuk ka pasur as sulm e as tendencë për sulm. Sipas tij, ky është vetëm një inskenim i bërë gjatë heshtjes zgjedhore, siç thotë ai “me qëllim të caktuar”.

Madje ai thotë se janë përshëndetur dhe ndarë si miq.

“Ju njoftoj se nuk ka pasur kurrfarë konflikti as sulmi fizik. Kjo është tendencë për viktimizim të një subjekti garues që pas fushatës tonë të shkëlqyer, përpiqet të marrë vëmendjen”, thotë Lladrovci.

“Kamerat e sigurisë janë në vendin e ngjarjes dhe mund të verifikohet lehtë se krejt çka ka ndodhur, në hyrje të një lokali, jemi përshëndet dhe secili ka shkuar në drejtimin e vet”, shton ai.

Fatmir Dugolli ka qenë kandidat për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.

Dugolli është rreshtuar në krah të Driton Ajazit, i cili po ashtu është ish-anëtar i PDK-së në Drenas dhe tash garnon në zgjedhjet locale për të parin e Drenasit.