Ish-anëtari i PDK-së aderon në partinë e Haradinajt

Një aderim i ri ka ndodhur këtë të premte, në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.

AAK-së së Ramush Haradinajt, i është bashkuar profesori universitar, Afrim Hoti, i cili më parë ka qenë pjesë edhe e PDK-së, por edhe e AKR-së.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka njoftuar përmes Facebook-ut për aderimin e Hotit, në partinë e tij.

“Njëri nga ekspertët e të Drejtës Ndërkombëtare, ligjërues në Departamentin e Shkencave Politike në Universitetin Publik të Prishtinës, Prof. Dr. Afrim Hoti, nga sot iu bashkohet radhëve të Aleancës”, thuhet në publikimin e tij.

Haradinaj sërish ka përmendur “projektin” e tij 100 për qind.

“Vullneti i tij i shprehur që politikisht të rrugëtojmë bashkë, është dëshmi se vlerat e Aleancës për ta mbrojtur me vendosmëri të drejtën dhe të vërtetën, si dhe vendimmarrja e guximshme, po gjejnë mbështetje të gjerë. Mirënjohës për besimin dhe dalshim faqebardhë me projektin tonë 100% shtet, si alternativa e vetme që i garanton vendit zhvillim me dinjitet”, thuhet në publikimin e Haradinajt.

Hoti në vitin 2017 kishte aderuar në PDK.

“Eksperti i së drejtës ndërkombëtare, Prof. Dr. Afrim Hoti, është anëtari më i ri i Partisë Demokratike të Kosovës. I urojmë mirëseardhje në ekipin fitues “Fillimi i Ri”, platformës së duhur për fuqizimin e Kosovës”, thuhet në një postim të Kadri Veselit.

Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqjes nga pozita e kryeministrit të Kosovës me 19 korrik të këtij viti, pas ftesës për intervistim në cilësinë e të dyshuarit që ka pranuar nga Gjykata Speciale.