Ish-anëtari i Kryesisë së partisë së Haradinajt emërohet në bordin e Ujësjellësit

Në bordin e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” është emëruar edhe Sejdë Tolaj, ish anëtari i kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës që udhëhiqet nga Ramush Raradinaj.

E kaluara e tij politike është e lidhur me disa parti politike. Por, së fundmi ka qenë pjesë e partisë së kryeministrit. Ai ka qenë kryetar në forumin rinor të LDK-së, sekretar i përgjithshëm në LDD, e më pas në partinë e kryeministrit AAK, si anëtar i kryesisë së partisë së kryeministrit Haradinaj.

KALLXO.com ka gjetur se ai është aktivë ne përkrahjen e AAK-së në rrjetet sociale.

Këtë e ka konfirmuar edhe Tolaj për KALLXO.com.

“Unë jam mbështetës i AAK-së edhe i vizionit politik të kryeministrit Haradinaj dhe do ta mbështes edhe në të ardhmen, mirëpo viteve të fundit nuk kam ndonjë pozitë në organet qendrore të partisë”, tha Tolaj për KALLXO.com.

Por, ai ka thënë se nga viti 2018 është dorëhequr nga pozitat që kishte në partinë e kryeministrit.

“Në 2018 më patën pranu në studime të doktoratës edhe për shkak të angazhimeve në jetën personale, kam kërkuar nga AAK që ta kenë mirëkuptim që mos me qenë aktivist por unë e përkrahi dhe e mbështes në të gjitha format”, tha Tolaj.