Ish-ambasadori i Holandës propozon tre kandidatë për president të Kosovës

Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch ka propozuar tre kandidatë për president të Kosovës.

Përballë bllokadës në formimin e Qeverisë së Kosovës, si rezultat i mosmarrëveshjeve mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së për postin e presidentit, Robert Bosch si propozim të parë ka përmendur ish-presidentin, Fatmir Sejdiu, i cili dha dorëheqje nga pozita në shtator të vitit 2010 pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, me të cilin konstatohet se ai kishte bërë shkelje të Kushtetutës duke mbajtur edhe postin e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Fatmir Sejdiu duhet të jetë një kompromis i mirë për postin e presidentit. Ai është me përvojë, i pavarur dhe nuk është më zyrtar i ndonjë partie specifike”, ka thënë ai.

Bosch ka propozuar edhe publicistin Veton Surroi si dhe ish-ambasadoren e Kosovës në Holandë, Vjosa Dobrunën.

“Dy njerëz të tjerë plotësisht të pavarur gjithashtu më shkuan në mendje si kandidatë të shkëlqyeshëm: Veton Surroi dhe Vjosa Dobruna, të dy me përvojë lokale dhe ndërkombëtare. Ata do t’i bënin shumë mirë imazhit të vendit”, ka thënë tutje ish-ambasadori.

Bosch është shprehur i sigurt që ka kandidatë më të përshtatshëm, por siç ka thënë ai ‘pas lajmeve në baza ditore, unë nuk mund të rezistoja për t’u përfshirë pak’.

Ndonëse mandati i presidentit aktual të Kosovës, Hashim Thaçit, përfundon në vitin 2021, kjo çështje është hapur tani pasi që partnerët e koalicionit nuk po mund të nënshkruajnë marrëveshjen pikërisht për shkak të ‘ulëses’ së presidentit.

Isa Mustafa përballë Jeta Xharrës