Arkiv

Isa Mustafa: Vendimi është i qartë, të gjithë duhet ta respektojmë dhe zbatojmë

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka reaguar  pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese  në lidhje me dekretin e presidentit Thaçi për ta mandatuar Avdullah Hotin për kryeministër të ri.

Mustafa ka shkruar se aktgjykimi i sotëm i Kushtetueses dëshmon se shteti i Kosovës dhe drejtësia po funksionon.

“LDK gjithëherë ka respektuar vendimet e kësaj Gjykate dhe kemi kontribuar që ky institucion të jetë i pavarur dhe ta gëzojë besimin e plotë.Janë këto personalitete që mbajnë peshën e drejtësisë dhe demokracisë në shtetin tonë të ri.Vendimi i Gjykatë nuk i destinohet një partie dhe një grupi por një zgjidhjeje kushtetuese e cila do të vlejë për të gjithë ne, tani dhe në të ardhmen”, ka shkruar Mustafa në ‘Facebook’.

Në fund, Mustafa ka shkruar se i takon Qeverisë së ardhshme, të drejtuar nga LDK që të mbajë peshën e demokracisë dhe të kësaj drejtësie të ndarë nga Gjykata Kushtetuese.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë . Të gjithë duhet ta respektojmë dhe ta zbatojmë”, ka shkruar ai.

Sipas aktgjykimit, Gjykata Kushtetuese ka vendosur në favor të presidentit Thaçi në të gjitha çështjet e ngritura nga Lëvizja Vetëvendosje.